Në mesnatë përfundon fushata zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune të dielën më 11 janar në komunat Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçisht dhe Qendra Zhupë. Heshtja zgjedhore do të zgjasë deri në përfundimin e votimit më 11 janar në orën 19.

Sipas informacioneve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), fletët e votimit dhe aparatet për identifikim biometrik sot shpërndahen deri te Komisionet Komunale Zgjedhore ndërsa prej aty do të merren nga Këshillat Zgjedhorë. 

Nesër, e shtunë, votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit dhe personat në burgje të regjistruar në Listën Zgjedhore në këto komuna. Në Gostivar për votim janë regjistruar 146 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, në Mavrovë Rostushë 69, në Vrapçisht 32 përderisa në Qendra Zhupë vetëm dy. 

Në Gostivar në Listën Zgjedhore janë regjistruar  82.870 qytetarë me të drejtë vote, 78.185 votues janë banorë të përhershëm të komunës, përderisa në Listën e veçantë zgjedhore për persona të cilët jetojnë jashtë vendit janë regjistruar 4 604 votues, ndërsa 81 persona janë në burg ose në paraburgim. 

Në Listën Zgjedhore për Mavrovë-Rostushë janë të regjistruar 10.575 votues, nga të cilët 9.622 janë në Listën e veçantë zgjedhore për banorët e Komunës, 951 janë jashtë vendit dhe dy janë në burg ose paraburgim.

Në Listën Zgjedhore për Vrapçisht janë të regjistruar 27.279 qytetarë me të drejtë vote, në Listën e veçantë zgjedhore për banorët e Komunës 26,318, në Listën e veçantë zgjedhore që jetojnë jashtë vendit 950 dhe në burg ose paraburgim 11.

Numri i votuesve në Qendër Zhupë të regjistruar në Listën Zgjedhore është 7.562, nga të cilët 6.305 janë në komunë, ndërsa 1.257 persona janë të regjistruar në listen e veçantë zgjedhore për votuesit jashtë vendit.

Kandidatë për kryetar të Gostivarit janë Nevzat Bejta, nga koalicioni VLEN dhe i pavaruri Valbon Limani i mbështetur nga AKI. Në Vrapçisht, kandidatë për kryetar janë Isen Shabani nga AKI dhe Zulhajrat Demiri i mbështetur nga Grupi i Votuesve. Në Qendër Zhupë, ka vetëm një kandidat për kryetar komune, Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve. Në Mavrovë dhe Rostushë, ka dy kandidatë, Oner Jakuposki, i mbështetur nga Koalicioni “Maqedonia Juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe Anes Ahmeti, kandidat i LSDM-së.

Sipas neneve 132, 132a dhe 133 të Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet e përsëritura nuk kërkohet pjesëmarrje prej një të tretës së votuesve, por për të zgjedhur kryetar komune, më shumë se gjysma e votuesve që kanë dalë duhet të votojnë për njërin nga kandidatët, përfshirë Qendrën Zhupë, ku ka vetëm një kandidat.

Zgjedhjet për kryetar komune në këto katër komuna po përsëriten sepse nuk kishin dale mjaftueshëm qytetarë për të votuar në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në këto komuna, në raundin e parë më 19 tetor, nuk u arrit pjesëmarrja ligjore prej të paktën një të tretën (33,33 përqind) të votuesve të regjistruar, gjë që është kusht që zgjedhjet të konsiderohen të suksesshme.

Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33,31 për qind, në Vrapçisht 25,18 për qind, në Mavrovë dhe Rostushë 30,31 për qind dhe në Qendër Zhupë 21,49 për qind.