Ka filluar procesi i votimit për Zgjedhjet Lokale 2025. Sot, një ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve, votojnë 2.162 të burgosur dhe persona në arrest shtëpiak, 8.851 të sëmurë dhe persona të pafuqishëm, si dhe 442 banorë të shtëpive të të moshuarve.
Sipas listës zgjedhore, në institucionet ndëshkuese dhe korrektuese do të votojnë gjithsej 2.162 të burgosur, prej të cilëve më shumë janë në Burgun e Idrizovës (938 votues), në Shutkë (391), në burgun e Shtipit (237) dhe në Prilep (119). Të drejtën e votës në shtëpi e ushtrojnë edhe personat që ndodhen në arrest shtëpiak dhe janë paraqitur për këtë mundësi.
Anëtarët e këshillave zgjedhorë sot vizitojnë në shtëpitë e tyre 8.851 persona të sëmurë ose të pafuqishëm, të cilëve u është aprovuar kërkesa për të votuar nga shtëpia. Në total janë dorëzuar 9.217 kërkesa
, por janë pranuar vetëm 8.851.Në shtëpitë e të moshuarve votojnë 442 persona të moshuar, në vend të 450 sa ishin parashikuar fillimisht. Numri u ul me tetë persona, pasi Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë njoftoi Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) se shtëpia e të moshuarve “Arija” është mbyllur.
Nesër, në vend do të mbahen zgjedhjet e tetë lokale që nga pavarësia e shtetit, dhe të katërtat në të cilat zgjidhen njëkohësisht kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Do të votohet në 3.474 qendra votimi, për gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista këshilltarësh, me gjithsej 10.490 kandidatë.
Në garë marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare apo kandidatura të pavarura.
Qyteti i Shkupit ka numrin më të madh të kandidatëve për kryetar – 16 në total.
Të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.832.415 qytetarë, prej të cilëve 1.717.803 ndodhen në vend, ndërsa 112 mijë janë të regjistruar në listën e veçantë të votuesve që jetojnë jashtë shtetit. Për zgjedhjet lokale nuk do të ketë votim në diasporë, por ata që janë përkohësisht jashtë vendit dhe kthehen në Maqedoni, mund ta ushtrojnë të drejtën e votës.
Votimi do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00.
Fushata zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025 përfundoi mbrëmë në mesnatë, duke shënuar fillimin e heshtjes zgjedhore, e cila do të zgjasë deri më 19 tetor, në orën 19:00.