Kuvendi miratoi rendin e ditës të seancës së 59-të, nga i cili paraprakisht ishte hequr pika për interpelancën ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Kjo pikë u hoq me propozim të deputetit Boban Karapejovski nga partia ZNAM, me arsyetimin se “nuk duan të marrin pjesë në dhunë juridike ndaj Kushtetutës”. Në këtë reaguan me vërejtje procedurale deputetët e Frontit Europian opozitar, të cilët kërkuan që pika të rikthehet sërish.
Halil Snopçe kërkoi që të votohej përsëri për këtë pikë, ndërsa koordinatori i Frontit Europian, Blerim Bexheti, deklaroi se nuk do të lejojnë diskutime për pikat e tjera dhe “do të bllokojnë foltoren” nëse nënkryetarja Vesna Bendevska nuk e vë në votim propozimin e deputetit Snopçe. Anëtarët e Frontit Europian u vendosën përpara foltores, ndërsa Bendevska bëri thirrje që të votohej për rendin e ditës – dhe ai u miratua./TV21
