Në 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që shënohet me datat 5, 6 dhe 7 mars, të premten qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në varrezat e Jasharëve në Prekaz.

Atje kanë qëndruar edhe liderë politikë e komunalë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se bashkë me strukturat e partisë janë në Prekaz për të shprehur respektin dhe për të bërë nderim “në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

“Respekt deri në përulje, çka do që të bëjmë ne, nuk është e barasvlershme me veprën dhe sakrificën që kanë bërë Jasharët, gjithmonë respekt deri në përjetësi”, ka theksuar Hamza.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka thënë se në këtë vend është bërë një betim se liria fitohet me gjak e nuk falet.

“Këtu u dëshmua se e tërë një familje rri krah për krah me burrat, me vëllezërit, dhe digjen në flakë, që nga ajo flakë të lind liria, pavarësia e drejtësia, prandaj këtu është e tërë Kosova e nuk ka parti politike”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se në Prekaz janë rrënjët e shtetit të Kosovës.

Homazhe në Prekaz ka bërë edhe kryeministri në detyre Albin Kurti bashkë me anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Më 5 mars 1998, ka nisur sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt. Luftimet kanë zgjatur për tre ditë – më 5, 6 e 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit janë vrarë 22 anëtarë, bashkë me 33 banorë të lagjes dhe të tjerë. Këtij sulmi i ka shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit, i cili ia pati dalë që të ikte nga rrethina, si dhe Besarta, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari është bërë më 30 dhjetor të 1991-tës, ndërsa të dytin forcat paramilitare serbe e kanë kryer në janar të 1998-s.

Më 22 janar, forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, porse edhe kësaj beteje fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit, dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shokë e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.

Ata i kanë kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty, porse edhe gratë e edhe fëmijët patën marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së UÇK-së. Në 28-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e organizon manifestimin mbarëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

The post Homazhe në Prekaz në nder të Epopesë së UÇK-së appeared first on Alsat.