Katër persona janë hospitalizuar nga zjarri në fabrikën e mbetjeve elektronike në Trubarevë, përfshirë edhe drejtorin e QMK, Muhamed Ali. Aktualisht në spital mbetet vetëm një person – një banore e Trubarevës që jeton pranë zjarrit. Tre të tjerët tashmë janë duke marrë trajtim në shtëpi. Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

“Njëri prej tyre është banor që jeton shumë pranë zjarrit. Njëri është pjesëtar i ARM-së. Njëri është drejtor i QMK-së, që ishte aty, dhe njëri është polic. Fillimisht shfaqeshin marramendje dhe kollë, dhe rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik ishin që nëse qytetarët kanë këto simptoma, të paraqiten menjëherë në Toksikologji”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Ministri informoi se nga dje është formuar Shtab Krize në ministri që monitoron situatën. Masa shtesë për mbrojtjen e qytetarëve, përveç atyre të marra deri tani, nuk janë planifikuar, sepse matjet e sotme të ajrit nuk tregojnë nevojën për to.

“Ne kemi disa pika ku masim cilësinë e ajrit në kohë reale dhe deri tani nuk ka tregues që kërkojnë masa shtesë. Është e vërtetë se ndjehet erë tymi dhe askush nuk thotë se cilësia e ajrit është në nivelin që të gjithë do të dëshironim. Po punojmë për këtë. Këto janë procese që kërkojnë kohë. Por nuk duhet të ngrihet alarmin pa nevojë, sepse numrat nuk na tregojnë këtë”, shtoi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Nuk ka radioaktivitet në ajër pas zjarrit në Trubarevë, konfirmoi edhe drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik.

“Sipas analizave dhe njohurive tona, aktualisht nuk ka asnjë devijim, madje as minimal, nga parametrat normalë sa i përket radioaktivitetit në ajër”, theksoi Marija Andonovska, drejtore e ISHP.

Kryeministri gjithashtu tha se matjet e sotme nuk janë alarmante.

“Matjet e fundit të kryera nga Arma dhe Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se nuk kemi ndotje jashtëzakonisht të madhe. Nëse dje ishte mes 8 dhe 9 në njësinë matëse, tani është mes 5 dhe 6. Akoma ka ndotje, por nuk është jashtëzakonisht e madhe. Flas për një perimetër rreth 100 metrash nga vendi ku ndodhi zjarri”, u shppreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Asnjë banor i Trubarevës nuk ka kërkuar evakuim në Qendrën e Trajnimit të MPB-së në Idrizovë.