Thuhet se më 30 tetor 1974, shkrimtari Stephen King qëndroi me bashkëshorten e tij Tabitha në hotelin Stanley, në Estes Park të Kolorados. Hoteli ishte në prag të mbylljes për sezonin e dimrit, ndaj çifti ishte i vetmi mysafir atë natë. Atmosfera e frikshme e ndërtesës dhe një makth i Kingut u bënë shtysa për lindjen e romanit “The Shining”, botuar në vitin 1977 dhe më pas i ekranizuar nga Stanley Kubrick me Jack Nicholson në rolin kryesor.

Hoteli Stanley, i ndërtuar më 1909 nga sipërmarrësi Freelan Oscar Stanley, është një hotel kolonial luksoz me 140 dhoma, restorant, spa dhe pamje madhështore të Parkut Kombëtar të Maleve Shkëmbore. Përveç bukurisë natyrore, hoteli njihet për historitë e tij misterioze. Shumë vizitorë pretendojnë se kanë parë fantazma, përfshirë themeluesin Stanley dhe bashkëshorten e tij Flora, e cila thuhet se ende “luan” në piano.

Dhomat më të kërkuara janë ato të lidhura me romanin, sidomos Dhoma 217, ku King qëndroi dhe që konsiderohet epiqendra e aktiviteteve paranormale. Vizitorët kanë raportuar hije të pashpjegueshme, zëra të fëmijëve dhe objekte që lëvizin vetë.

Edhe pse disa mendojnë se këto histori janë thjesht marketing turistik, fakti mbetet se hoteli Stanley është kthyer në një destinacion të famshëm botëror për fansat e letërsisë, filmit dhe të mbinatyrshmes.

Një natë në hotel kushton rreth 300 dollarë ose më shumë, dhe gjatë muajit tetor organizohen evente të veçanta si festa të Halloween-it dhe balloja “Glowing”, që mbledh vizitorë nga e gjithë bota.

Për ata që duan të përjetojnë atmosferën e “The Shining” nga afër, rekomandohet rezervim i hershëm, pasi hoteli mbetet i tejmbushur në këtë periudhë.

The post Hoteli ku turistët vijnë për të parë fantazma appeared first on Alsat.