Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverinë “Kurti” se po ndikon për keq në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
Duke folur në krahë të presidentes Vjosa Osmani, pas nënshkrimit të një marrëveshje financimi nga USAID, Hovenier tha se tashmë ndërmjet ShBA-ve dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare nga njëra anë dhe qeverisë së Albin Kurtit nga ana tjetër ka dallime të mëdha për disa veprime të ndërmarra prej këtij të fundit.
“Po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç Zëvendësi i Departamentit të shtetit ka thënë më herët, Qeveria Amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n”.
Pavarësisht këtyre marrëdhënieve me qeverinë “Kurti”, ambasadori amerikan theksoi se mbështetja e SHBA për popullin e Kosovës është e pakursyer.