Nënkryetari i BDI-së, Arjanit Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe veprimeve të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, duke i cilësuar ato si të turpshme dhe skandaloze.
Sipas Hoxhës, në vend që ta ushtrojë funksionin në përputhje me pozitën që mban, kryetari i Gjykatës Kushtetuese po sillet si një politikan i papërgjegjshëm, i cili, sipas tij, po nxit përçarje dhe po e thellon hendekun e mosbesimit mes komuniteteve në vend.
Ai rikujton se edhe në të kaluarën ka pasur figura që kanë vepruar në mënyrë të ngjashme, por që më pas janë përballur me pasojat e veprimeve të tyre dhe janë penduar. Në këtë drejtim, Hoxha apelon për kujdes që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës.
Duke u ndalur te vendimmarrja në Gjykatën Kushtetuese, Hoxha thekson se institucioni nuk rrezikon të mbyllet nëse merr vendime sipas parimit “Badenter” për ligje dhe iniciativa që janë votuar me të njëjtin parim në Kuvend. Përkundrazi, sipas tij, kjo do të forconte mbrojtjen e Kushtetutës dhe do të parandalonte majorizimin në çështje që prekin bashkësitë etnike.
Në fund, Hoxha vlerëson se deklaratat dhe veprimet e fundit janë alarm për opinionin publik, duke theksuar se funksionimi i shtetit duhet të mbështetet në partneritet të plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe në respektimin e demokracisë konsensuale. Çdo qasje tjetër, sipas tij, përbën kthim prapa.
