Arjan Hoxha nga BDI ka ngritur shqetësimin për mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, duke denoncuar një rast të pretenduar në Institutin e Shëndetit Publik.

Sipas deklaratës së Hoxhës, drejtoresha aktuale e institutit, Marija Andonovska, ka urdhëruar sektorët që komunikimi zyrtar të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.

Ai pretendon se drejtuesit e sektorëve janë udhëzuar t’i njoftojnë punonjësit përmes mesazheve telefonike se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen më dhe se të vlefshme do të konsiderohen vetëm dokumentet në gjuhën maqedonase.

Hoxha ka ngritur pikëpyetje mbi kompetencat e drejtoreshës për të marrë një vendim të tillë, duke theksuar se asnjë drejtues institucioni nuk mund të vendosë sipas vullnetit personal për zbatimin e ligjit.

Në këtë drejtim, ai i është drejtuar drejtpërdrejt Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar që të shqyrtojë veprimet e drejtuesve të institucioneve dhe të ndërmarrë masa konkrete në rast të konstatimit të shkeljeve.