Me rastin e Akademisë përkujtimore të 24 Vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit të organizuar nga Aleanca Kombëtare për Integrim, fjalë rasti pati edhe kreu i PDE-së Arjanit Hoxha. Më poshtë ju sjellim fjalimin e tij të plotë:

Të nderuar të pranishëm,
Kryetarë të partive politike pjesë e Aleancës Kombëtare për Integrim, të nderuar familjarë të dëshmorëve të luftës së lavdishme të vitit 2001, invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,
Të nderuar deputetë, funksionarë partiakë dhe mbështetës të respektuar që sonte jeni këtu në mesin tonë, si dhe ata që na ndjekin përmes ekranit,

Sot, jemi mbledhur të gjithë shqiptarët për të përkujtuar 24-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit – një marrëveshje e arritur me shumë sakrificë, mund dhe gjak.

Për fat të keq, ashtu si në 23-vjetor, edhe sot, në 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, ndjehemi të turpëruar nga përfaqësimi skandaloz dhe i turpshëm që po bëjnë të përzgjedhurit e Mickoskit në këtë qeveri, nën emrin e tyre VREDI.

Kemi mijëra argumente për të dëshmuar sesi ata degraduan, rrënuan dhe përbuzën çdo arritje të këtyre 24 viteve për shqiptarët në këtë shtet. Por dëshmia më e qartë e vazalitetit të tyre është fakti se dje ata u rreshtuan krah Stoilkoviqit. Mjafton të shihni ato pamje dhe e kuptoni menjëherë në duar të kujt ka mbetur Marrëveshja e Ohrit.

Marrëveshja e Ohrit hapi rrugën e integrimit të vendit, e shndërroi Maqedoninë e Veriut në shembull të ndërtimit të një shteti të barabartë, i dha orientim të qartë pro-perëndimor dhe betonoi të ardhmen në NATO – aleanca më e madhe ushtarake në historinë e globit.

Ndërsa ata që sot po e shkelin dhe përbuzin, duan të na kthejnë pas. Për herë të parë, Maqedonia e Veriut ka marrë notim negativ nga Këshilli i Evropës për ndikimin e botës serbe në vend, gjë që ka vënë në dyshim gjithë partneritetet strategjike që i kemi ndërtuar me vite.

Një vit keqqeverisje, një vit turpi, një vit vazalitet e degradimi po na kthen 24 vite mbrapa. Ky nuk është shteti që duam!
Prandaj, të dashur vëllezër e motra, na pret një sfidë ndoshta më e rëndë se ajo pas vitit 2001. Por ashtu siç dolëm krenarë atëherë, jam i bindur se përsëri shqipja do të fluturojë lart në qiell dhe ne do të vulosim amanetin e atyre që flijuan gjithçka për kombin tonë.

Marrëveshja e Ohrit është gjallë. Fryma e saj është e ngërthyer në vetë sistemin se si duhet të funksionojë ky shtet. Çdo eksperiment apo tentativë për ta thyer apo izoluar vetëm sa dëmton të ardhmen e tij – një e ardhme që mund të ndërtohet vetëm mbi partneritet të plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke u kujdesur për të gjithë qytetarët, e jo mbi bazën e vazalitetit që po përpiqen të imponojnë promotorët e botës serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre në qeverinë aktuale.

Për në fund, për të gjithë ata që na kanë sulmuar – qoftë mua, Ziadinin, Zejdin apo tash edhe Arbenin – kam vetëm një mesazh:
Jo një herë, jo njëqind herë, jo një mijë herë, por një milion herë është më e fisme, më burrërore dhe më patriotike t’i shtrish dorën Ali Ahmetit për të mirën e shqiptarëve, sesa të bëhesh vazal i Stoilkoviqit dhe “Srbski svjet”-it!
Ju faleminderit.