Ministri i sapo zgjedhur i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë Muhamet Hoxha ka deklaruar se përballja me ndotjen e ajrit do të jetë prioritet gjatë mandatit të tij si dhe do të realizohen mbikëqyrje ndaj objekteve që disponojnë leje ekologjike të integruara të tipit A. Ministri Hoxha me këtë rast ka paralajmëruar se nuk do të ketë tolerancë për ndotësit e ambientit!

“Sot kisha një takim urgjent koordinues me zëvendësministren, me drejtuesit e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe me përgjegjësit në ministri për cilësinë e ajrit, ku kërkova informacione të detajuara mbi mbikëqyrjet inspektuese të realizuara dhe ato të planifikuara, me theks të veçantë te subjektet me leje ekologjike të integruara të tipit A”, tha Hoxha duke nënvizuar se do të realizohen kontrolle të jashtëzakonshme për të konstatuar respektimin e detyrimeve ligjore, si dhe shkallën e zbatimit të masave aktuale për përballimin e ndotjes së ajrit.

“Ky është hapi i parë i një sërë aktivitetesh konkrete me të cilat po filloj. Lufta kundër ndotjes kërkon vendosmëri, koordinim institucional dhe partneritet me të gjithë ata që dëshirojnë një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm”, deklaroi Muhamet Hoxha, ministër i Ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinorë.

The post Hoxha: Përballja me ndotjen e ajrit është prioriteti im, zero tolerancë për ndotësit! appeared first on Alsat.