Nënkryetari i BDI-së, Arjanit Hoxha, ka kritikuar VLEN-in për pozitën e tij në koalicionin qeverisës, duke e akuzuar se po hesht për çështjet që prekin shqiptarët, ndërsa përqendrohet te kërkesat për dorëheqjen e Ali Ahmetit.

“VMRO ia bën 100 me 1 VLEN-it në çdo sferë, ndërsa VLEN-i ka një hall tjetër: dorëheqjen e Ali Ahmetit!”, ka shkruar Hoxha në një status.

Për të mbështetur kritikën e tij, ai ka renditur disa pretendime për përfaqësimin e shqiptarëve në punësime. Sipas shifrave që publikon Hoxha, në Spitalin e Kumanovës nga 60 punësime vetëm një është shqiptar, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë raporti është 162 maqedonas me 13 shqiptarë, ndërsa në MPB 550 maqedonas me 50 shqiptarë.

Ai pretendon gjithashtu se, pas 30 vitesh, në Akademinë Ushtarake nuk është pranuar asnjë shqiptar.

Hoxha ka ngritur shqetësime edhe për përdorimin zyrtar të shqipes, duke deklaruar se drejtorë të emëruar nga Qeveria japin udhëzime për mospërdorimin e saj. Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe mungesën e zgjidhjes për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në status, nënkryetari i BDI-së akuzon pushtetin për mungesë investimesh në zonat shqiptare dhe për lënien pa mbështetje të të punësuarve shqiptarë në administratën shtetërore.

Sipas Hoxhës, VLEN-i nuk po ngre zërin ndaj partnerit qeverisës për këto çështje, por vazhdon të kërkojë largimin e liderit të opozitës.

**/Monitor.mk**