Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut pësoi një tjetër humbje në Ligën e Kombeve, pasi u mposht 2:0 nga Sllovenia në ndeshjen e zhvilluar sonte në Lubjanë.

Pas një pjese të parë në të cilën vendasit ishin më kërkues dhe krijuan më shumë presion, golat erdhën në pjesën e dytë.

Sllovenia kaloi në epërsi në minutën e 52-të me Sand Lovriqin, i cili përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së Maqedonisë. Përzgjedhësi Goce Sedlloski reagoi duke bërë disa ndryshime në formacion, por ekipi i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut nuk arriti të krijojë një rast të pastër për gol.

Vendasit e dyfishuan epërsinë pas një kundërsulmi, ndërsa golin e dytë e shënoi Aljosha Matko.

Goditjen e parë drejt portës së Sllovenisë, Maqedonia e pati vetëm në minutën e 83-të, kur Hristijan Maleski goditi drejt portës, por Jan Oblak ishte në vendin e duhur për ta pritur topin.

Me këtë humbje, Maqedonia regjistroi edhe një ndeshje pa gol të shënuar dhe e vazhdoi serinë pa fitore.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Zvicra triumfoi 3:0 ndaj Skocisë në transfertë.

Pas dy ndeshjeve, Zvicra kryeson Grupin B1 me 6 pikë. Sllovenia ka 4 pikë, Skocia 1, ndërsa Maqedonia mbetet në fund të tabelës pa pikë.

Ndeshjen e radhës, Maqedonia do ta zhvillojë në shtëpi ndaj Skocisë, më 3 tetor, të shtunën.