Budapesti në mënyrë të pakushtëzuar e përkrah rrugën eurointegruese të Shkupit, theksoi ministri hungarez për çështje europiane Janesh Boka i cili është për vizitë në vend. Ai tha se vendi i tij mbetet në idenë që ta lehtësojë dialogun mes Shkupit dhe Sofjes.

“Unë besoj se Maqedonia e Veriut tashmë duhej të ishte pjesë e BE-së. Unë shpresoj se çështja dypalëshe do të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur dhe nëse Hungaria mund të bëjë diçka për ta lehtësuar këtë proces, ne jemi në dispozicion për palët”, tha Janesh Boka.

Për ndryshimet kushtetuese dhe hapjen e kapitujve, së fundmi euroambasadori Mihalis Rokas tha se po udhëhiqet diplomaci e qetë, por zëvendësministrja për çështje europiane Viktorija Trajkov nuk zbuloi detaje.

“Nëse kjo do të jetë diplomaci e qetë apo e zëshme nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është se Maqedonia bëhet një vend më i mirë për jetesë ku rruga eurointegruese do të jetë qëllimi ynë primar”, tha Viktorija Trajkov.

Ministri hungarez  Boka e komentoi edhe qëndrimin e homologut të tij britanik Dejvid Lami, sipas të cilit Ballkani perëndimor mund të destabilizohet nëse së shpejti nuk bëhet pjesë e Unionit.

“BE bën maksimumin për të punuar për stabilitetin e rajonit dhe Hungaria si vend anëtar i BE-së, gjatë kryesisë, ka punuar për të rifilluar procesin integrues për Ballkanin perëndimor dhe të përforcohet perspektiva europiane për rajon, që do të jetë garancia më e mirë për stabilitet”, tha Boka.

Boka mori pjesë në tribunën e përkushtuar eurointegrimeve në Universitetin në Shkup, me titullin “Si të jetë Europa përsëri e madhe”, ngjashëm me sloganin e presidentit amerikan Donald Tramp.