Në Zvicër prej dje ka hyrë në fuqi ligji që ndalon mbulimin e fytyrës në vende publike, i njohur si “ndalimi i burkës”, përcjell TV21. Shkelja e këtij ligji mund të dënohet me gjobë deri në 1000 franga zvicerane (1064 euro). raporton Swissinfo.

Nisma kundër veshjes së burkës u miratua nga 51.2 për qind e votuesve zviceranë në mars të vitit 2021, ndërsa përjashtime për mbulimin e fytyrës do të ketë nëse e njëjta bëhet për arsye sigurie, si moti i ftohtë ose për shkaqe shëndetësore. Mbulimi i fytyqës sipas ligjit lejohet edhe për arsye artistike dhe argëtuese.

Që nga 1 janari, në Zvicër gjithashtu hynë në fuqi rregulloret e reja që harmonizojnë të drejtën ndërkombëtare të trashëgimisë zvicerane me Rregulloren Evropiane të Trashëgimisë.

Kur bëhet fjalë për trashëgiminë, shpesh ka kontestime juridike mes zvicëranëve dhe pjesës tjetër të Evropës, ndërkaq, ligji i ri e afron Zvicrën më pranë Bashkimit Evropian sa i përket të drejtës ndërkombëtare të trashigimisë.

Në Zvicër nga 1 janari ka ndryshime edhe te pensionistët. Pensionet shtetërore janë rritur për 2.9 për qind, me arsyetimin se kjo është e nevojshme për të harmonizuar shpenzimet me rritjen e çmimeve, por edhe rritjen e pagave.

Pensioni minimal shtetëror do të rritet nga 1225 në 1260 franga zvicerane në muaj, ndërsa pensioni maksimal nga 2450 në 2520 franga zvicerane./tv21.tv