Floktarët zbulojnë gabimet më të shpeshta dhe truket që zgjasin freskinë e flokëve deri në disa ditë

Nëse ju ndodh që ta lani flokun në mëngjes, ndërsa që ditën tjetër ai duket i ngjitur, pa jetë dhe i yndyrshëm në rrënjë, nuk jeni të vetmit. Yndyrëzimi i shpejtë i flokëve është një nga problemet më të shpeshta, sidomos gjatë dimrit dhe në periudhat me lagështi të shtuar, kur skalpi reagon edhe më intensivisht.

Ndërsa shumëkush mendon se zgjidhja është larja më e shpeshtë, parukierët paralajmërojnë se pikërisht kjo shprehi shpesh e përkeqëson gjendjen. Në vend të kësaj, disa ndryshime të vogla në rutinë mund të zgjasin ndjesinë e pastërtisë, t’i japin flokut volum dhe ta bëjnë që frizura të zgjasë dukshëm më gjatë, madje deri në shtatë ditë.

Fen-i si aleat kundër rrënjëve të yndyrshme

Pas larjes, fokusi nuk duhet të jetë në gjithë gjatësinë e flokut, por ekskluzivisht në rrënjë. Tharja me fen e rrënjëve ndihmon që skalpi të yndyrëzohet më ngadalë, pasi largohet lagështia që nxit sekretimin e sebumit.

Gjatësinë e flokut lëreni të thahet natyrshëm ose vetëm ta thani lehtë – në këtë mënyrë shmangni tharjen dhe këputjen e fijeve, ndërsa floku ruan plotësinë dhe shkëlqimin natyral.

Lagështia – armiku i heshtur i flokut të sapolarë

Lagështia është një nga arsyet kryesore pse floku e humb shpejt freskinë. Gjatë dushit përdorni patjetër kapelë për flokë, edhe nëse nuk po e lani atë. Avulli dhe pikat e ujit mund të aktivizojnë yndyrëzimin në rrënjë dhe ta prishin frizurën më shpejt sesa mendoni.

Ky hap i thjeshtë shpesh neglizhohet, por mund të bëjë një ndryshim të madh në atë se sa gjatë floku mbetet i pastër, transmeton Telegrafi.

Shampo e thatë, por në kohën e duhur

Shumica e njerëzve e përdorin shampon e thatë vetëm kur floku tashmë duket i yndyrshëm. Parukierët, megjithatë, këshillojnë të kundërtën, aplikojeni në mbrëmje, menjëherë para gjumit, ndërsa floku është ende relativisht i pastër.

Gjatë natës ajo do të thithë tepricën e yndyrës, ndërsa në mëngjes do të zgjoheni me flok më të lehtë, të ngritur dhe dukshëm më të freskët, pa gjurmë të bardha.

Më pak prekje, më shumë freski

Kalimi i shpeshtë i gishtërinjve nëpër flok është një nga arsyet e padukshme pse rrënjët yndyrëzohen më shpejt. Yndyra nga duart transferohet lehtësisht te floku, veçanërisht në zonën e ndarjes.

Sa më pak ta prekni flokun gjatë ditës, aq më gjatë ai do të ruajë pamjen e lehtë dhe të pastër.

Ndryshime të vogla, diferencë e madhe

Floku i yndyrshëm nuk do të thotë domosdoshmërisht larje e përditshme dhe luftë e vazhdueshme me frizurën. Me disa truke të zgjuara dhe një rutinë të duhur, është e mundur të zgjasni freskinë e flokut, të ruani volumin dhe të ulni sekretimin e yndyrës.

Ndonjëherë, pikërisht ajo që bëjmë mes dy larjeve është vendimtare për mënyrën se si floku do të duket në ditët në vijim.

The post I lani flokët sot, ndërsa nesër janë sërish të yndyrshëm? Ja pse ndodh dhe si t’i mbani të freskët më gjatë appeared first on Alsat.