Një histori mbijetese e jashtëzakonshme ka dalë në dritë 27 vite pas luftës në Kosovë. Gramoz Berisha, i mbijetuar i një masakre familjare ka zbuluar se plumbi që e kishte goditur në vitet e luftës kishte qëndruar në trupin e tij për gati tri dekada — pa u zbuluar nga mjekët dhe pa prekur asnjë organ vital.
Ngjarja daton 27 vite më parë, kur ai, bashkë me nënën dhe një familjare tjetër, arritën të kërcenin nga kamioni ku ishin hedhur së bashku me dhjetëra trupa të pajetë. I plagosur në krahun e majtë, ai kishte arritur të shtirej si i vdekur, duke i shpëtuar kështu ekzekutimit. Nga 49 anëtarë të familjes së tij, vetëm tre mbijetuan.
Për vite me radhë, ai ishte trajtuar për plagën në krahun e majtë. Sipas mjekëve, plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ndodhej më në trupin e tij. Jeta vazhdoi me dhimbjen e humbjes, me kërkimin për eshtrat e familjarëve dhe me kujtimet e asaj dite tragjike.
Por tre muaj më parë, një dhimbje e fortë në krahun e djathtë e detyroi t’u drejtohej mjekëve në Shtutgart të Gjermanisë. Pas ekzaminimeve dhe incizimeve radiologjike, mjekët zbuluan diçka të pazakontë: plumbi që e kishte goditur 27 vite më parë ndodhej në krahun e tij të djathtë.
