Në vend që të fillojë në ora 10:00 siç ishte parashikuar, fillimi i procesit gjyqësor ndaj Rade Trajkovski – i njohur si “Shtekli”, dhe nëntë të akuzuarve të tjerë për tregti me lëndë narkotike pritet të vonohet.

Shkaku i vonesës, siç njoftoi gjyqtari Ilija Tërpkov që udhëheq këtë rast, është njoftimi i marrë nga Burgu i Shkupit se Trajkovski është hospitalizuar në Klinikën e Neurologjisë për shkak të problemeve shëndetësore. Sipas njoftimit, Trajkovski në orët e mëngjesit ka qenë “në gjendje të pakontaktueshme dhe i dezorientuar”, dhe për këtë arsye është dërguar me autoambulancë në Qendrën Klinike për kontroll mjekësor.

“Sipas njoftimit, i akuzuari ka pasur kriza edhe gjatë ditës së djeshme, ndërsa sot është dërguar në institucion shëndetësor”,
tha gjyqtari Tërpkov.

Për këtë arsye, seanca pritet të nisë nga mesi i ditës, me shpresë se pas ekzaminimeve mjekësore, Trajkovski do të sillet në Gjykatën Themelore Penale në Shkup dhe seanca do të mund të zhvillohet.

Aktakuza ndaj grupit të Rade Trajkovski–Shtekli është ngritur në fund të majit pas hetimeve të Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Sipas deklaratës së Prokurorisë më 27 maj, ai dhe nëntë persona të tjerë akuzohen për shitje të marihuanës dhe kokainës në territorin e qytetit të Shkupit.

Trajkovski u arrestua më 19 janar të këtij viti dhe një ditë më pas iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e cila më pas iu vazhdua pas ngritjes së aktakuzës.

Hetimet për grupin e “Shtekli” filluan me 15 të dyshuar dhe më vonë u zgjeruan në gjithsej 17 persona. Nga këta, vetëm 10 janë përfshirë në aktakuzën aktuale, pasi shtatë të dyshuar kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burgim nga tre deri në tre vjet e gjashtë muaj, varësisht nga shkalla e përfshirjes së tyre në veprat penale.

“Në periudhën janar 2024 – janar 2025, të akuzuarit janë organizuar si një grup kriminal që ka vepruar në qytetin e Shkupit me tregti të paligjshme të drogës – kokainë dhe marihuanë Sipas provave të mbledhura në fazën hetimore, është konstatuar se grupi ishte i strukturuar qartë dhe me role të ndara, nga sigurimi dhe ruajtja e drogës, deri te paketimi, transporti dhe shitja. Lënda narkotike është ruajtur në banesa të posaçme të marrë me qira dhe më pas është shpërndarë në sasi të vogla në treg, me çmime prej 4.500 deri në 6.000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Paratë e fituara nga shitja i dorëzoheshin të pandehurit kryesor, i cili më pas i shpërndante një pjesë te të akuzuarit tjerë si shpërblim dhe u jepte udhëzime për zgjerimin e rrjetit të shpërndarjes. Anëtarët e grupit përdornin një rrjet shpërndarësish dhe ndërmjetësish, nga të cilët shtatë persona kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar”, njoftoi Prokuroria më 27 maj.

Për rikujtim, gjatë dy viteve të fundit para arrestimit, Rade Trajkovski u ka mbijetuar disa tentativa për atentat ndaj tij. Ai ishte qëlluar në një qendër tregtare, ndërsa një mjet shpërthyes ishte hedhur në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen “Qeramidnica” të Shkupit.