Zeqirija Ibrahimi nga VLEN thotë se kompania AA Senjak, e cila sipas tij është në pronësi të një familjari të afërt me Ali Ahmetin, aksionet në Stopanska Banka Manastir i kishte blerë nga një kompani e afërt me Sasho Mijallkovin, ndërsa më pas ia ka shitur Alta Bankës nga Beogradi, bankë që dyshohet se ka lidhje me Aleksandar Vuçiqin, përcjell TV21. Arbër Ademi nga BDI hodhi poshtë akuzat e VLEN-it, ndërsa akuzon Bujare Abazin nga VLEN, për lejimin e funksionimit të bankës serbe në Maqedoni.
“Të njëjtat aksione që familja e Ali Ahmetit ia shiti Bankës së regjimit të Vuçiqit, pothuajse një vit më parë, i ka blerë pikërisht nga Sasho Mijallkovi. Blerja e aksioneve të As-Senjak nga Sasho Mijalkovi ose nga kompania e lidhur me të, “Best Way Investment”, është bërë më 24.10.2024. Ja dëshmia e këtij transaksioni. Ajo që e shihni edhe në ekran”, theksoi Ibrahimi.
“Banka Serbe mban firmën e VLEN-it. Të gjithë këto që i theksova mbajnë firmën e VLEN-it. Konkretisht, zonja Bujare Abazi, kryetare e Komisionit për Letra me Vlerë, më 10 shtator të këtij viti, ka lejuar depërtimin e Bankës Serbe, Alta Banka, në Maqedoni, duke ia mundësuar kësaj banke që të blejë, aksione. Pra, këtë krim institucional, të cilët vetë ata e bëjnë, tentojnë t’ia veshin dikujt tjetër”, tha Ademi.
