Zekirja Ibrahimi nga VLEN ka reaguar pas statusit të Arben Taravarit duke theksuar se VLEN-i nuk mund të lejojë që në qeveri ta ketë partner edhe BDI-në përmes vegëzave ose veglave që janë kapur keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit e Korrupsionit.

“Politika joparimore e dy karrigeve dhe e qëndrimeve ku nuk merret vesh kush është partneri, kush është aleati e kush është oponenti, tashmë ka perënduar. Të gjithë që mendojnë se mund të luajnë ndryshe nuk mund të jenë partnerë tanë dhe të kësaj qeverie”, ka shkruar Ibrahimi në Fejsbuk.

Ai shtoi se janë përcaktuar për politikë parimore që lufton krimin dhe korrupsionin.

“Secili që dëshiron ta shpëtojë politikën e Soravisë, edhe nëse këtë e bën me sllogane patriotike dhe viktimizim “engjëllor”, duke e fshehur kështu kapjen në korrupsion, më parë mund të digjet e të përmbytet sesa ta realizojë operacionin e shpëtimit të atyre që tashmë janë bërë personazhe të listës së zezë amerikane. Ne jemi përcaktuar për politikë parimore që e lufton krimin e korrupsionin, që i bën reformat në drejtësi dhe që u ofron jetë dinjitoze qytetarëve.

Edhe BDI, edhe Qeveri, ollmaz Doktor!”, shtoi Ibrahimi.