
Një iftar i përbashkët i organizuar nga këshilltarët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) dhe atyrw të VLEN-it në Komunën e Butelit është shfrytëzuar si platformë për të përcjellë mesazhe për unitet dhe bashkëpunim ndërmjet faktorëve politikë shqiptarë në këtë komunë, shkruan gazeta KOHA.
Përmes një statusi publik, një nga këshilltarët e AKI-së, Linkest Lumani, theksoi se ky organizim nuk kishte vetëm karakter fetar, por edhe simbolikë më të gjerë kombëtare. Sipas tij, iftari i përbashkët përçon një mesazh të qartë për nevojën e tejkalimit të ndasive dhe forcimit të bashkimit politik e shoqëror.
“Komuna e Butelit nuk ka nevojë për ndasi dhe përçarje, por për unitet dhe bashkim si një trup i vetëm”, thuhet në reagim, duke shtuar se qytetarët presin një përfaqësim më të fuqishëm dhe dinjitoz nga përfaqësuesit e tyre.
Në fokus të mesazhit ishte veçanërisht nevoja për koordinim më të madh në përfaqësimin e shqiptarëve në këtë komunë, duke theksuar se një zë i përbashkët politik është kyç për adresimin e sfidave lokale.
Këshilltari Linkest Lumani e përmbyll mesazhin me një thirrje të drejtpërdrejtë për bashkim, duke theksuar se “bashkimi nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri”, në një kohë kur në Butel, VMRO dhe LSDM dinë të mbivotojnë këshilltarët shqiptarë kur janë në pyetje investimet në lagjet e pastra me maqedonas.
Në Komunën e Buteëit janë tetë këshilltarë shqiptarë, katër nga AKI dhe katër nga VLEN-i. (koha.mk)
