U përshpejtua inflacioni vjetor. Në tetor ai është për 4,5 për qind më i lartë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Nëse krahasohen dhjetë muajt e këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, inflacioni është 4,1 për qind. Ka rritje të madhe te çmimet e ushqimit dhe ajo është për 7 për qind. Për kryeministrin Hristijan Mickoski kjo është e pritshme dhe sot ai e korrigjoi parashikimin për inflacionin për vitin 2025 dhe e afroi me vlerësimin e Bankës Popullore, i cili është 3,9 për qind.

Me ribalancin e buxhetit për vitin 2025, Ministria e Financave ka vlerësuar se inflacioni këtë vit do të jetë 2,8 për qind.

“Dje thash, për shkak të nivelit të ulët vitin e kaluar në muajin tetor, atëherë kujtoheni i aplikonim ato masa për ngrirjen e marzhave dhe të ngjashme. Por, më pas pres ulje në nëntor, në dhjetor, kështu që shkalla mesatare vjetore këtë vit do të përfundojë ndërmjet 3,5 – 4%, që është një nga më të ulëtat në Evropë dhe në rajon. Njëkohësisht, pres që vitin e ardhshëm niveli i inflacionit të lëvizë ndërmjet 2 – 3%”, tha Mickoski.

Sipas të dhënave të Entit për Statistika, vitin e kaluar në tetor inflacioni vjetor ishte 3,5 për qind, ndërsa në dhjetë muajt e parë 3,3 për qind. Sipas të dhënave të Eurostat, Rumania këtë tetor ka inflacion më të lartë, ndërsa për pjesën më të madhe të vendeve të tjera evropiane ai lëviz nga 4,5 për qind e më poshtë. Ka shumë vende që kanë inflacion nën 2 për qind, dhe ka edhe shtete si Qipro, Malta dhe Irlanda ku rritja e çmimeve është rreth zeros.

Për ekonomistin Abil Baush, nuk është për t’u habitur që te ne përshpejtohet inflacioni. Kjo është për shkak të çmimeve më të larta të ushqimit, energjisë dhe shërbimeve. Shtesë, ne ende kemi presione të brendshme që e nxisin inflacionin, përkatësisht në rritjen e tij ndikon pritshmëria për paga më të larta në vend dhe mungesa e produktivitetit. Problem është edhe struktura e buxhetit.

“Me buxhetin e ri kemi përsëri rritje të pagave, ato transfere sociale dhe kjo është ajo që e përshpejton efektin inflacionar. Edhe pse, për shembull, qeveria shpall masa, ato janë kryesisht masa afatshkurtra dhe nuk zgjidhin problemet thelbësore, për shembull, nuk bëjnë ndonjë transformim të atij modeli buxhetor që të mund të kemi prodhim më të madh dhe atë konkurrencë të dobët ta bëjmë konkurrencë të produkteve tona jashtë në treg”, tha Baush.

Baush thotë se janë të nevojshme reforma të menjëhershme strukturore në politikat tatimore dhe makroekonomike, përkatësisht të rritet prodhimi i ushqimit dhe energjisë, por edhe të ketë disiplinë më të madhe fiskale dhe tatimore si dhe shtypje të ekonomisë gri. Derisa të mos bëhet kjo, inflacioni do të jetë rezistent dhe vështirë do të ulet.

Kryeministri Mickoski thotë se për momentin ka masa aktive ekonomike dhe kontrolluese që duhet të ndikojnë në stabilizimin e çmimeve. Mickoski disa herë ka paralajmëruar se nuk do të ketë ngrirje të çmimeve dhe të marzhave, sepse kjo është kundërproduktive.