Inflacioni vjetor në prill është 5,7 për qind. Por, përmes kësaj shifre vështirë mund të shihet qartë nëse kriza energjetike që u krijua pas sulmit të SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit tashmë ka filluar të përhapet në ekonomi. Prandaj, nëse shikohen të dhënat mujore, mund të vërehet se inflacioni në prill është për 1,3 për qind më i lartë në krahasim me marsin.

Kjo tashmë tregon se kriza energjetike dhe gjeopolitike po fillon të ndihet edhe në çmimet në Maqedoni. Të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë gjithashtu se ushqimi në prill është më i shtrenjtë për 0,7 për qind në krahasim me muajin paraprak. Megjithatë, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, ende nuk është koha për të ndërmarrë masa për stabilizimin e rritjes së çmimeve të ushqimit. Do të pritet të kalojë edhe maji, për të parë si do të lëvizin çmimet, dhe më pas Qeveria do të vendosë nëse do të ndërhyjë me masa. Opsioni kryesor që është në tryezë është ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet bazë ushqimore.

“Në moment opsioni produktet bazë ushqimore, TVSH e cila është 5% të ulet, ende është në tryezë. Por, përsëri ju them, rreth 0,7% ose 0,8% është ndryshimi mujor i çmimeve të produkteve bazë ushqimore, në llogari të shërbimeve të transportit, kjo është afërsisht ajo që është objekt i analizës sonë”, tha Mickoski.

Sipas Mickoskit, arsyeja kryesore për rritjen më të madhe të inflacionit është në sektorin e shërbimeve, ku shënohet shtrenjtim i konsiderueshëm. Rritja më e madhe është te transporti ajror, ku çmimet e biletave të avionit arrijnë deri në 150 për qind rritje.

Sot me parashikime të reja për inflacionin dhe rreziqet për ekonominë doli edhe Banka Popullore e Maqedonisë. Banka qendrore bëri një korrigjim të rëndësishëm në rritje të pritjeve për inflacionin në krahasim me parashikimet e tetorit të vitit të kaluar. Atëherë pritej që inflacioni në vitin 2026 të jetë 2,5 për qind, ndërsa tani vlerësimi është se viti do të përfundojë me rritje të çmimeve prej 4 për qind.

Kjo përsëri hap pyetjen nëse Banka Popullore duhet të ndërhyjë me rritjen e normës referuese të interesit nga 4 për qind aktuale, me çka do t’u dërgonte sinjal bankave që të ulin kreditimin dhe qarkullimin e parave në ekonomi. Qëllimi i një hapi të tillë do të ishte ulja e presionit nga kërkesa, pra të parandalohet rritje shtesë e çmimeve.

“Tani për tani, ju pyetët drejtpërdrejt, mendoj se kjo nuk ishte arsyeja të paktën më 5 maj, që ne të marrim vendim për korrigjim në rritje të normës bazë të interesit të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë”, tha Sllaveski.

Sipas Sllaveskit, për momentin bankat qendrore më të mëdha nuk kanë ndërmarrë hap për ndërhyrje përmes rritjes së normave referuese të interesit. Të gjitha po e ndjekin me kujdes situatën dhe po presin të shohin si do të zhvillohet kriza energjetike që ka ardhur nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme.