Në një kohë ku rrjetet sociale janë bërë burimi kryesor i informacionit, influencerët po flasin edhe për tema për të cilat nuk janë ekspertë. Shpesh ata edhe reklamojnë produkte dhe për këtë paguhen nga porositësi.
Profesori i komunikimit Demush Bajrami për TV21 deklaron se këta persona mund të përhapin informacione të gabuara.
“Këta influencerë flasin për fusha jashtë ekspertizës së tyre, p.sh flasin ekonomi, flasin mjekësi psikologji, flasin politikë, flasin komunikologji, pra flasin gjithkund dhe ata kur flasin domethënë mund të bëjnë edhe telashe sepse mund të përhapin informacione të gabuara, informacione jo të sakta”, tha Demush Bajrami.
Bajrami thotë se duke folur influencerët publikisht për tema të ndryshme, mund të ndikojnë në vendime të rëndësishme të secilit individ.
“Psh mund të flasin për përdorimin e barnave, kishim një Covid19, një krizë të madhe shëndetësore, ne e dimë në 2019-20 dhe kjo u përcoll në telashe të mëdha, pikërisht për informacionin e gabuar, për qëllime që i dinë ata përdorues të cilët kanë lansuar informacione të kësaj natyre”, deklaroi Bajrami .
Për këtë ai thotë se influencerët duhet të përmbajnë përgjegjësi ligjore.
“Ajo që mund të lidhet me detyrimin për të treguar kur një postim p.sh është postim për reklamim, pra kemi të bëjmë për reklamim pra siç është diçka e sponsorizuar ose nëse është për qëllime të tjera që thjesht nuk ka të bëjë me reklamën ose nuk ka të bëj me propagandën e cila do qoftë ajo”, tha ai.
Ndryshe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (AAVMU) ka hartuar një Rregullore e cili vlen nga muaji gusht për influencuesit, vlogerët dhe krijuesit e tjerë të përmbajtjes video, e cila do të kontrollojë përmbajtjen e influencerëve.
Ndërkohë Qeveria kineze ka vendosur rregulla të reja për influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjes, duke ndaluar ata që flasin për tema profesionale pa pasur diplomë apo kualifikim përkatës.

