Drejtoria e Doganave pajiset me një sistem për analizën e rrezikut dhe ruajtjen e të dhënave që pritet të përmirësojë kontrollin e tregtisë dhe të parandalojë përpjekjet për krim dhe ekonominë gri. Ky sistem është një grant nga Republika e Koresë në shumën prej 4.75 milionë dollarësh, i cili u promovua sot.
“Të gjitha të dhënat mbi të gjitha importet, eksportet, tranzitin, të dhënat mbi mallrat e akcizës, i gjithë regjistri i sekuestrimeve, akuzat për kundërvajtje dhe penale janë integruar në Sistem ku analizohen me mbështetjen e inteligjencës artificiale të përparuar. Në të njëjtën kohë, ai ofron të dhëna mbi dërgesat vlerat e të cilave janë të ndryshme nga çmimet e bursës, por edhe vlerat e të cilave janë nën mesataren sipas analizës së vlerës së të gjithë importit, e cila i njofton doganierët të inspektojnë kontejnerët me dërgesa të tilla, të gjitha me qëllim parandalimin e përpjekjeve për mashtrim doganor”, tha Boban Nikollovski.
Sistemi i ri, siç theksoi drejtori Boban Nikollovski, do të lehtësojë gjithashtu tregtinë ligjore, që do të thotë kohë më të shkurtra zhdoganimi dhe kosto më të ulëta për kompanitë. Projekti filloi në vitin 2021 me një studim fizibiliteti dhe përfundimi i sotëm, sipas Komisionerit të shërbimit doganor Korean, është rezultat i angazhimit dhe partneritetit të ngushtë midis dy qeverive.
“Që nga viti 2008, shërbimi doganor Korean ka futur sistemin elektronik të zhdoganimit UNIPAS në 16 vende, dhe shuma e tyre ishte 329,37 milionë dollarë. Ky projekt prej 4.75 milionë dollarësh është veçanërisht i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, pasi përfaqëson krijimin e parë të sistemit elektronik të zhdoganimit të Shërbimit Doganor të Republikës së Koresë në të gjithë rajonin evropian”, deklaroi Limjon Ku.
Sipas Limjon Ku, i cili viziton vendin për herë të parë, sistemi i ri jo vetëm që do të kontribuojë në pozicionimin e Maqedonisë së Veriut si një lidere në Ballkan me një sistem doganor të përparuar, por do të përfaqësojë gjithashtu një shembull frymëzues të bashkëpunimit dhe miqësisë së fortë doganore.
