Gazetare: Ajnur Bafqari

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit duket se po bëhet një nga pikat kyçe të konfliktit, pasi mbrëmjen e ditës së djeshme presidenti amerikan Donald Trump dha një ultimatum për Iranin. Në një postim në Truth Social presidenti kërcënoi se nëse rruga tregtare nuk zhbllokohej brenda 48 orëve ai do të urdhërojë forcat amerikane të godasin termocentralet iraniane.
“Nëse Irani nuk e hap plotësisht, pa kërcënim Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh nga ky moment, Shtetet e Bashkuara do të godasin dhe shkatërrojnë plotësisht termocentralet e tyre, duke nisur nga më i madhi ”, deklaroi Donald Trump.

U kundërpërgjigj Teherani, duke kërcënuar se nëse sulmohet infrastruktura e energjisë, do të shënjestrohet e gjithë infrastruktura e energjisë që i përket SHBA-së në vendet e Gjirit.

Sipas raportimeve të mediave botërore, Edhe Izraeli edhe Irani po e rrisin rrezikun për katastrofë të madhe pasi secila palë po kryen sulme në afërsi të centraleve bërthamore të palës tjetër, duke shqetësim te Mbikëqyrësi Bërthamor i Kombeve të Bashkuara.
Raketa iraniane që mbrëmë e ka qëlluar qytetin izraelit, Dimona, ku ndodhet centrali bërthamorë, sipas Teheranit, ishte një hakmarrje ndaj sulmit që Izraeli e kishte kryer të njëjtën ditë më herët, ndaj të centralit të saj për pasurim me uranium në Natanc.

Izraeli asnjëherë publikisht nuk e ka pranuar se posedon armë bërthamore, ndërsa kompleksi në Dimona, zyrtarisht është i shënuar si qendër hulumtuese. Megjithatë, besohet se në lokacionin e njëjtë, jo shumë larg kryeqytetit, e fsheh arsenalin nuklear të Izraelit, të vetmin e llojit të tillë në Lindjen e Mesme.
Agjencia ndërkombëtare për Energji Atomike, pas sulmeve në Natanc e Dimona, në dy raste, ka bërë thirrje për përmbajtje maksimale që të pengohet fatkeqësi nukleare. Nga atje nënvizojnë se aktualisht nuk janë regjistruar rritje të nivelit të rrezatimit. / Alsat.mk.

The post Intensifikohen sulmet në Lindjen e Mesme appeared first on Alsat.