Ministria e Jashtme e Kinës përshëndeti të premten interesimet globale në rritje për stilin e jetës kineze.
“Gëzohem shumë teksa shoh që gjithnjë e më shumë të huaj, janë të etur për të njohur nga afër zhvillimin dhe për të provuar jetën e përditshme në Kinë”, u shpreh zëdhënësi i diplomacisë kineze Lin Jian në një konferencë shtypi.

Ai vuri në dukje se për shumë të huaj, të kuptuarit e tyre për Kinën tashmë po shkon përtej simboleve tradicionale si Muri i Madh, pandat ose kuzhina.
“Tashmë ata mund të gëzojnë lehtësirat e jetës të një shoqërie shumë të digjitalizuar, duke përfshirë pagesat e lëvizshme dhe dërgesat e shpejta apo duke përjetuar thellësinë kulturore të jetës së përditshme kineze”, shtoi zëdhënësi
Nga hekurudhat me shpejtësi të lartë dhe rrjetet 5G, tek qytetet më pak të njohura si perla të fshehura apo dhe trashëgimia kulturore tradicionale, përzierja e historisë dhe modernitetit ofron një përvojë unike që vazhdon të rrisë magjinë e Kinës, tha ai.

Sipas të dhënave zyrtare të cituara nga Lin, Kina regjistroi më shumë se 82 milionë hyrje – dalje të huaja në vitin 2025, një rritje 26.4% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që hyrjet pa viza u rritën gati 50%.

Me Vitin e Ri Kinez që po afron, Lin tha se Kina mirëpret ngrohtësisht turistët e huaj për të kaluar festën në vend. Ai vuri në dukje se rezervimet e fluturimeve nga udhëtarët e huaj për në Kinë në periudhën e Festës së Pranverës, janë rritur me më shumë se 400% në dy javët e fundit.
