Grupacionit Kazançi Hollding ka shprehur interes për investim në Maqedoninë e Veriut, që në total do të arrinte shumën 1 miliardë euro. Bëhet fjalë për centrale ko-gjenerative prej 500 megavatësh, që në vit do të prodhonin 4,1 teravat/orë energji elektrike dhe rreth 720 gigavat/orë energji termike në nivel vjetor. Siç informoi kryeministri Hristijan Mickoski, pas takimit me përfaqësuesin e Grupacionit Kazançi Hollding, projekti për ndërtimin e rrjetit sekondar të gazit dhe rrjetit të ngrohjes do të arrite deri tek amvisëritë me kushte të volitshme. Kyçja në sistem për qytetarët parashihet të jenë zero denarë, ndërsa çmimi i gazit natyror për amvisëritë do të jetë më i lirë se ai në bursë. Kjo do të ishte edhe zgjidhje e mirë për zgjidhjen e problemit me ndotjen e ambientit u shpreh Mickoski.
“Ende po rishikohen modelet e investimit. Njëra mundësi është që të jetë investim i pastër privat, ku kompania do të jetë pronar i vetëm, do ta ndërtojë objektin, normalisht më pas do të operojë me të, e kështu me radhë, do të funksionojë si pronë e tyre. E dyta është, të shohim, po e analizojmë mundësinë që të jetë pjesë e ligjit për partneritet publiko-privat ku ndoshta edhe shteti do të ishte bashkëpronar në projekt, por kuptohet kjo varet nga kufizimet ligjore dhe kushtetuese se cili prej këtyre dy skenarëve do të zgjidhet”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
