
Shkup, 16 nëntor – Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Emil Spasovski, në debatin e djeshëm në komision e vlerësoi Propozim-buxhetin për vitin 2026 si jashtëzakonisht zhvillimor me komponentë të fuqishme sociale. Ai theksoi se qëllimi është përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe zbatimi i konsolidimit fiskal përmes disiplinës së fuqishme financiare, njëherësh duke theksuar se nxitësi më i madh i rritjes do të jenë bruto-investimet.
“Në vitin 2026 priten zhvillime pozitive dhe rritja ekonomike pritet të përshpejtohet për 3,8%, si rezultat i rritjes së investimeve dhe rënies pasuese të shkallës së papunësisë në një nivel historikisht të ulët prej rreth 10%, rritjes së pensioneve dhe pagave, si dhe një rritjeje solide të konsumit privat. Kontributi më i madh në rritje në vitin 2026 pritet të vijë nga investimet bruto, përmes zbatimit të projekteve të mëdha infrastrukturore të financuara nga shteti, në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, kryesisht Korridoret 8 dhe 10D, si dhe projekte në energjetikë, bujqësi, arsim dhe kujdes shëndetësor”, tha Spasovski.
Deputeti Spasovski foli për disa projekte të cilat janë me rëndësi kyçe për zhvillimin e rajonit dhe veçanërisht të rëndësishme për komunën Kriva Pallankë, duke theksuar se me investimet kapitale në komuna do të përmirësohen kushtet për jetën e qytetarëve.
“Një nxitës shtesë i investimeve bruto do të jetë mbështetja e komunave për zbatimin e investimeve kapitale që synojnë zhvillimin e balancuar rajonal dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Një zë i rëndësishëm në Propozim-buxhet janë shpenzimet kapitale, ku projektet kapitale marrin pjesë me rreth 9,8% të buxhetit të parashikuar, përkatësisht ato janë projektuar në shumën prej 660 milionë euro. Nga këto mjete do të realizohen projekte infrastrukturore dhe energjetike, projekte kapitale në fushën e komunikacionit, infrastrukturës komunale dhe lokale. Do të financohet pjesa perëndimore e Korridorit 8, ndërtimi i hekurudhës si pjesë e Korridorit 8, ku është vënë në funksion seksioni i parë nga Kumanova në Bellakocë, po punohet intensivisht në seksionin e dytë nga Bellakovca në Kriva Pallankë për të cilin janë siguruar mjete dhe seksioni i tretë nga Kriva Pallanka në Deve Bair”, tha Spasovski.

