Kina dhe Irani, të cilët janë aleatë të Venezuelës, kanë bërë thirrje për lirimin menjëhershëm të Maduros dhe gruas së tij, Cilia Flores.

Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë përmes një deklarate se veprimet e SHBA-së janë “një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe normave themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe se po monitoron nga afër situatën e sigurisë në Venezuelë.

Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje Uashingtonit të “ndërpresë përpjekjet për të përmbysur qeverinë venezueliane dhe të zgjidhë çështjet përmes dialogut dhe negociatave”. Ministria bëri thirrje të ngjashme edhe në fundjavë.

Ndërkohë Irani, një aleat i ngushtë i Venezuelës, ka thënë se dyshja është rrëmbyer.

“Nuk është asgjë për t’u mburrur, është një akt i paligjshëm”, ka deklaruar zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Esmail Baqaei, sipas AFP-së.

“Siç e ka theksuar populli venezuelian, presidenti i tyre duhet të lirohet”, ka shtuar ai.

Irani është kërcënuar gjithashtu nga Donald Trumpi javën e fundit. Presidenti amerikan e ka paralajmëruar këtë shtet se SHBA-ja do të ndërhyjnë nëse vriten protestues paqësorë.

Janë raportuar disa vdekje nga këto protesta teksa fjalët e Trumpit janë përshkruar si “të pamatura dhe të rrezikshme” nga ministri i Jashtëm i Iranit.

The post Irani dhe Kina bëjnë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Maduros appeared first on Alsat.