TEHERAN – Teherani tha se po komunikonte me Shtetet e Bashkuara, Presidenti i të cilave Donald Trump tha se po shqyrtonte një “përgjigje të fortë” ndaj shtypjes vdekjeprurëse të protestave në Iran, të cilat përbëjnë një nga kërcënimet më të rrezikshme për udhëheqësit fetarë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Trump tha të dielën se SHBA-të mund të organizojnë një takim me zyrtarët iranianë dhe është në kontakt me opozitën iraniane, ndërsa ai rrit presionin mbi udhëheqësit e Iranit, duke përfshirë kërcënimet për veprime të mundshme ushtarake për shkak të një shtypjeje vdekjeprurëse të protestave.

Ndërsa sulmet ajrore janë një mundësi, “diplomacia është gjithmonë zgjedhja e parë e presidentit”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolina Leavitt.

“Ajo që po dëgjoni publikisht nga regjimi iranian është mjaft e ndryshme nga mesazhet që administrata po merr privatisht, dhe mendoj se presidenti është i interesuar t’i marrë në konsideratë këto mesazhe”, tha ajo.

Vazhdimi i komunikimit midis Iranit dhe SHBA-së

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se Teherani po shqyrtonte idetë e propozuara nga Uashingtoni, edhe pse ato ishin “të papajtueshme” me kërcënimet amerikane.

“Komunikimet midis meje dhe (të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff) vazhduan para dhe pas protestave dhe janë ende duke vazhduar”, i tha ai televizionit Al Jazeera.

Rrjeti i të Drejtave të Njeriut HRANA me seli në SHBA tha se kishte konfirmuar vdekjen e 572 personave, 503 protestuesve dhe 69 anëtarëve të forcave të sigurisë. Që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor dhe përhapja në të gjithë vendin, 10,694 persona janë arrestuar, tha grupi.

Sasia e informacionit që del nga Republika Islamike është kufizuar shumë nga mbyllja e internetit që ka qenë në fuqi që nga e enjtja.

Situata në Iran dhe reagimet e autoriteteve

Pavarësisht protestave masive, nuk ka shenja të një përçarjeje në udhëheqjen fetare shiite, ushtrinë apo forcat e sigurisë. Protestuesit nuk kanë një udhëheqje të qartë dhe opozita është e fragmentuar.

Irani nuk ka publikuar të dhëna zyrtare mbi numrin e të vdekurve, por fajëson për gjakderdhjen ndërhyrjen amerikane dhe, siç thotë ai, terroristët e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të.

Në raportimet e saj, media shtetërore u përqendrua në vdekjen e anëtarëve të forcave të sigurisë.

Duke folur para një grupi të madh të mbledhur në sheshin në qendër të Teheranit, kryetari i parlamentit iranian, Mohamad Bager Kalibaf, tha se iranianët po zhvillojnë një luftë në katër fronte: “luftë ekonomike, luftë psikologjike, luftë kundër SHBA-së dhe Izraelit dhe sot luftë kundër terrorizmit”.

The post Irani pretendon se po komunikon me SHBA-në appeared first on Alsat.