Irani ka thënë se nuk ka interes për negociata ndërkohë që është nën sulm.
“Përderisa agresioni ushtarak vazhdon, ka shumë pak hapësirë për të folur për diçka tjetër përveç një përgjigje vendimtare”, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghei.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha të dielën se Tehrani kishte pranuar një armëpushim për t’i dhënë fund konfliktit 12-ditor në qershorin e kaluar, por kësaj here duhet të ketë një përfundim të përhershëm të luftës.
Baghaei u pyet gjithashtu për sugjerimin e presidentit amerikan Donald Trump se kufijtë e Iranit mund të ndryshojnë.
I pyetur javën e kaluar nëse harta e Iranit do të duket e njëjtë pas kësaj lufte, Trump tha: “Këtë nuk mund t’jua them. Ndoshta jo.”
Baghaei tha se presidenti Trump e trajtonte të gjithë botën si një marrëveshje për pasuri të paluajtshme.
“Presidenti i SHBA-së dhe të tjerë kanë bërë deklarata për shumë pjesë të botës, nga Kanadaja deri te vende të tjera – sikur i gjithë planeti të ishte një pronë e çmuar dhe qeveritë të ishin thjesht agjenci të pasurive të paluajtshme,” tha Baghaei.
“Për popullin e Iranit, harta e vendit përfaqëson gjithçka për të cilën çdo iranian është krenar dhe për të cilën është i gatshëm të sakrifikojë jetën për ta mbrojtur”, ka thënë ai.
Baghaei tha se Irani nuk kishte lëshuar asnjë raketë drejt Turqisë apo Azerbajxhanit, të dy vende fqinje.
Javën e kaluar, forcat amerikane rrëzuan një raketë të dyshuar iraniane që po lëvizte drejt hapësirës ajrore të Turqisë.
“Mbrojtja jonë e vendit nuk duhet në asnjë rrethanë të interpretohet si armiqësi ndaj vendeve fqinje apo vendeve të rajonit,” tha Baghaei.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian i kishte thënë të dielën presidentit të Azerbajxhanit se “nuk është ndërmarrë asnjë veprim i paligjshëm mbrojtës apo ushtarak ndaj atij vendi,” tha Baghaei.
Azerbajxhani tha të shtunën se kishte parandaluar disa akte “terroriste” sabotazhi të planifikuara nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përfshirë një plan për të sulmuar një tubacion të madh nafte.
