Kandidatja për shefe të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Iskra Haxhi Vasileva, në emisionin “Click Plus” në TV21 foli për pagat e prokurorëve, veprimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe për besimin e ulët të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Haxhi Vasileva theksoi se e mbështet plotësisht reagimin lidhur me pagat, duke vlerësuar se ai është i bazuar në aspektin juridik dhe parimor. Sipas saj, Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtojë këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur.

“E mbështes plotësisht atë reagim, sepse mendoj se, nga aspekti juridik dhe parimor, ai është plotësisht i arsyeshëm dhe i qëndrueshëm. Me gjasë, Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë në shqyrtim reagimin tonë sa më shpejt, duke pasur parasysh kontekstin e përgjithshëm të nismave të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese, të cilat prekin edhe gjyqtarët”, deklaroi Haxhi Vasileva.

Ajo shprehu shpresën se, pavarësisht ritmit të ngadaltë të vendimmarrjes deri më tani, Gjykata Kushtetuese do të veprojë brenda një afati sa më të shkurtër.

Duke folur për besimin ndaj Prokurorisë, Haxhi Vasileva vlerësoi se kjo çështje po merr një dimension të tepruar në opinionin publik, veçanërisht kur përmendet shifra prej vetëm dy për qind e besimit.

“Çështja e besimit ndaj nesh, sipas mendimit tim, po merr një dimension të ekzagjeruar në opinionin publik, sepse, nga sa di unë, bëhet fjalë edhe për një lloj manipulimi metodologjik, i cili më pas u pasqyrua në publik me atë shifër prej dy për qind të besimit. Besimi ndaj nesh ndoshta nuk është në nivelin e dëshiruar, këtë e dimë të gjithë, por sigurisht që nuk është as aq i ulët”, theksoi ajo.

Sipas Haxhi Vasilevës, prokurorët punojnë çdo ditë për rikthimin e besimit përmes ushtrimit profesional të detyrave të tyre.

Ajo foli edhe për marrëdhëniet ndërmjet Prokurorisë dhe institucioneve të tjera, duke theksuar se bashkëpunimi është i domosdoshëm, por duhet të bazohet në një qasje konstruktive dhe në kuptimin e rolit që ka Prokuroria në sistemin juridik.

“Ne duhet të bashkëpunojmë në frymën më konstruktive dhe të inkurajojmë vullnetin politik në cilindo institucion, si dhe t’u shpjegojmë se çfarë përfaqësojmë ne në sistemin e përgjithshëm, si mbrojtës të tij përmes ndjekjes penale që ushtrojmë”, deklaroi Haxhi Vasileva në emisionin “Click Plus” në TV21.