Ismaili paralajmëron rreziqet për shëndetin: “Nuk kemi skrining për kancer të mushkërive”

Ajri i ndotur vazhdon të jetë prezent, sidomos në sezonin e dimrit dhe është një nga arsyet kryesore për sëmundjet e frymëmarrjes dhe problemeve të mushkërive, thotë për TVM2 pulmologu, Irfan Ismaili.

Me këtë rast ai poashtu thekson që çdo kollitje që zgjatë më shumë se tre javë, apo dhimbje krahërori, ose kollitje me përmasa të gjakut është e nevojshme që të bëhet rentgen te këta pacientë që të evitohen problemet më të mëdha të mushkërive.

“Ne kemi raste që pacienti ka bërë inçizim rentgen për ndonjë arsye, operacion apo mund të jetë diçka, ose për ndonjë koll dhe i ka dalë se ka një hijezim në mushëkri kemi ashtu raste pasiqë shpesh kanceri i mushkërive, i cili është më qëndror nuk shkakton edhe dhimbje, ashtu që pacientët nuk mund ta verifikojnë që e kanë, apo nuk mund ta dijnë përveç simptomeve tjera, se shembull nëse ka vetëm kollitje ai do ta len që është vetëm i ftohur apo e ka prej duhanit ose alergjik, mirëpo çdo prolongim i kollitjes apo ndryshimi i kollitjes më shumë se tre javë, ka indikacion për rentgen, çdo kollitje me përmasa të gjakut ka indikacion për rentgen, çdo dhimbje në kraharor ka indikacion për rentgen, çdo humbje peshe dhe apetiti ka indikacion për rentgen.” – tha Dr. Irfan Ismaili, pulmolog.

Pulmologu Ismaili, thekson që në shtetin tonë mungon skriningu i kancerit të mushkërive që bëhet me kompjuter tomografi, sepse vetëm në këtë mënyrë zvogëlohet mortaliteti tek mbi 60 përqind e pacientëve.

“Shumica e rasteve që vijnë në fazën më të avancuar, është që në shtetin tonë nuk kemi skrining të kancerit të mushëkrive, siç i kemi për disa sëmundje të tjera edhe pse në botë dhe në shumë vende tjera evropiane ekzistojnë, tek ne ende nuk ekziston skriningu edhe pse ne si klinikë dhe repart kemi filluar disa grupe pune, në të ardhmen do të fillojmë edhe do ta bëjmë këtë kërkesë edhe në institucione më të larta që të fillon skriningu për karcinomin e mushëkrive, e them këtë se edhe statistikat botërore dhe evropiane janë që me diagnostikimin e hershëm në fazë të hershme, nëpërmjet skriningut ndalohet, dhe më kryesore është ndalohet edhe vdekja, siç kemi studime edhe në Amerikë dhe në Evropë që nëpërmjet skriningut është zvogëluar mortaliteti te mbi 60 përqind të pacientëve.” – u shpreh pulmologu, Irfan Ismaili.

Sipas mjekut Ismaili çdo duhanpirës dhe çdo i moshuar mbi 55 deri në 80 vjet, duhet të bëjë skrining të kancerit të mushëkrive që të vërehen me milimetra ndryshimet që të marrim masa më të hershme këta pacientë.

Sipas OBSH kanceri i mushkërive, gjirit dhe zorrës së trashë, janë tre llojet e kancereve më të përhapura në mbarë botën.