Drejtori i Drejtorisë për Policinë Financiare, Slobodan Ivanovski, në emisionin “Biznis21” në TV21, tha se aktualisht institucioni po vepron mbi pesë iniciativa të dorëzuara nga Prokuroria Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe Prokuroria Publike e Shkupit, të cilat lidhen me Ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile.
“Gjatë procesimit, kemi vërejtur se ligji ka disa anomali dhe pasaktësi, veçanërisht në pjesën e funksionalitetit të tij. Prandaj, kemi iniciuar krijimin e një grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë, i cili tashmë punon në ndryshimet për të bërë ligjin më efikas dhe të zbatueshëm”, tha Ivanovski.
Ai paralajmëroi se iniciativa e parë do të përfundojë shumë shpejt, duke theksuar se Policia Financiare aktualisht po punon sipas dispozitave ligjore në fuqi.
“Po kryejmë verifikime, po përcaktojmë vlerën neto të pasurisë dhe mbi këtë bazë përgatisim një raport që e dërgojmë në prokurori”, sqaroi Ivanovski.
Në pyetjen nëse ndër rastet ka emra të njohur, ai konfirmoi:
“Ka edhe emra të njohur dhe të panjohur. Ndër to ka edhe një emër të njohur nga fusha e gjyqësorit”, tha drejtori i Policisë Financiare.
Episodi i plotë i emisionit do të transmetohet sot në ora 21:30.