Izraeli ka dërguar një delegacion në Katar këtë të diel për bisedime mbi një marrëveshje të mundshme për pengjet në Gaza dhe armëpushimin, megjithëse zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se ndryshimet e kërkuara nga Hamasi ishin të papranueshme.

Grupi palestinez i ishte përgjigjur të premten pozitivisht propozimit amerikan për armëpushim por me shqetësimin për të adresuar disa çështje që lidhen me ndihmat  humanitare, kalimin nëpër pikën kufitare Rafah në Izraelin jugor për në Egjipt dhe qartësinë mbi një kohë të caktuar për tërheqjen e trupave izraelite.

“Ndryshimet që Hamasi kërkon të bëjë në propozimin e Katarit na u komunikuan mbrëmë dhe nuk janë të pranueshme për Izraelin”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë të fundit.

Netanyahu, i cili pritet të takohet me Trump në Uashington të hënën, ka kërkuar vazhdimisht çarmatosjen e Hamasit, një qëndrim që grupi militant, i cili mendohet se mban 20 pengje të gjallë, deri më tani ka refuzuar ta diskutojë.

Zhvillimet e fundit vijnë pas një jave intensive bombardimesh në Gaza ku janë vrarë qindra palestinezë.

Edhe këtë të diel disa persona raportohen të vrarë në Gaza nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite.