Gazetar: Miki Trajkovski
Në Komunën Mavrovë-Rostushë ndodhet Parku Kombëtar “Mavrovë” dhe qendra e skijimit, që ofrojnë mundësi për zhvillim edhe më të madh të turizmit. Kandidati për kryetar të Komunës nga VMRO-DPMNE, Oner Jakuposki, thotë se turizmi për të paraqet “motorin” kryesor për zhvillimin socio-ekonomik të Komunës së Mavrovës-Rostushës.
“Në vizionin tim bazë për zhvillimin e turizmit, e shoh si një sistem të organizuar të rrjetëzimit të ofertës turistike, të atyre kapaciteteve akomoduese që i ka Komuna e Mavrovës-Rostushës. Përmes një marketingu dhe promovimi të duhur e të fuqishëm, duhet ta vendosim Komunën e Mavrovës-Rostushës në hartën e turistëve. Në këtë periudhë, derisa jam edhe i autorizuar nga Qeveria, kemi filluar disa aktivitete, kemi pasur takime konkrete me kapacitetet gastronomike dhe akomoduese si dhe me operatorët turistikë, dhe tashmë në vitin 2026 i presim rezultatet e para konkrete”, tha Oner Jakuposki, kandidat për kryetar komune të Mavrovës-Rostushës nga VMRO-DPMNE.
Kandidati për kryetar komune nga LSDM, Anes Ahmeti, thotë se në programin e tij ka paraparë zhvillimin serioz të turizmit.
“Duke hartuar strategji serioze, ku primatin do t’ia japim popullsisë lokale. Çfarë do të thotë kjo? Ne mendojmë se popullsia lokale duhet të jetë udhërrëfyesi i turizmit lokal në Komunën e Mavrovës-Rostushës, duke bërë prezantim të mirë të atyre vlerave kulturore dhe veçantive natyrore që i kemi, në këtë mënyrë do të përpiqemi ta edukojmë edhe popullsinë lokale që, nëse kanë kapacitete akomoduese, t’i përshtatin ato, me ç’rast do të përfitonte edhe vetë popullsia lokale”, u shpreh Anes Ahmeti, kandidat për kryetar komune të LSDM për Komunën e Mavrovës-Rostushës.
Të dy programet e kandidatëve do të përballen në zgjedhjet lokale për kryetar komune në Mavrovë-Rostushë më 11 janar./ Alsat.mk
The post Jakuposki dhe Ahmeti premtojnë investime në Parkun Kombëtar “Mavrovë” dhe qendrën e skijimit për zhvillim ekonomik appeared first on Alsat.
