Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se është gati për zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje partnerëve amerikanë dhe evropianë të ndihmojnë në sigurimin e zgjedhjeve gjatë luftës.
Ai u ka thënë gazetarëve se nëse siguria garantohet, zgjedhjet mund të mbahen brenda 60-90 ditëve të ardhshme, duke shtuar se do t’i kërkonte parlamentit të përgatiste legjislacionin e nevojshëm për të mundësuar zgjedhjet gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Mandati i Zelenskyt ka përfunduar në shkurt të këtij viti, teksa Parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, ka miratuar një rezolutë që zgjat mandatin e tij deri në heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ukraina ka shpallur ligjin ushtarak pas hyrjes së trupave ruse në territorin e saj, dhe në këtë gjendje një shtet nuk zhvillon zgjedhje.
Rusia e ka quajtur Zelenskyn vazhdimisht president i paligjshëm, teksa së fundmi edhe presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një intervistë për Politico, ka deklaruar se mendonte që Ukraina duhej të zhvillonte zgjedhje.
“Mendoj se është një kohë e rëndësishme për të mbajtur zgjedhje. Ata po përdorin luftën për të mos mbajtur zgjedhje, por, mendoj se populli ukrainas duhet t’i ketë këto zgjedhje. Dhe ndoshta Zelensky do të fitonte. Nuk e di kush do të fitonte. Por ata nuk kanë pasur zgjedhje për një kohë të gjatë”, ka deklaruar Trumpi.
