Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë “nuk do të përfundojë së shpejti”.

Në një intervistë për Fox News, Vance tha se pyetja me të cilën përballet administrata amerikane tani është se si mund t’i ndihmojë Rusinë dhe Ukrainën “të gjejnë terren të mesëm” për t’i dhënë fund konfliktit që ka vazhduar për më shumë se tre vjet.

“Nuk besoj vërtet se ndonjë person nga 8 miliardë njerëzit në botë, nuk mendoj se dikush mund ta kishte arritur këtë marrëveshje përveç Donald J. Trump. Kur them këtë marrëveshje, dua të them që këta njerëz të propozojnë një zgjidhje paqeje, por kjo do të varet nga rusët dhe ukrainasit. Tani që secila palë i di kushtet e palës tjetër për paqe, do të varet nga ata të arrijnë një marrëveshje dhe të ndalojnë këtë konflikt brutal. Nuk do të përfundojë së shpejti”, është shprehur JD Vance.

Komentet e tij erdhën menjëherë pasi Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje me Kievin për të ndarë fitimet e mineraleve të rralla të Ukrainës në këmbim të ndihmës së ardhshme të sigurisë nga SHBA-ja. Edhe  Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se duhet të ketë një “përparim” në konflikt së shpejti, përndryshe Trump “do të duhet të vendosë se sa kohë t’i kushtojë kësaj”.

Ndërkaq, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy përshëndeti marrëveshjen për mineralet me Shtetet e Bashkuara si një marrëveshje vërtet të barabartë.

“Është vërtet një marrëveshje e drejtë  një që krijon mundësi për investime të konsiderueshme në Ukrainë, si dhe modernizim e industrive. Ne folëm me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për gatishmërinë tonë për të përfunduar marrëveshjen e diskutuam atë gjatë takimit tonë në Vatikan. Në fakt, ky është rezultati i parë i prekshëm i atij takimi, duke e bërë atë vërtet historik”, tha Zelensky.

Në terren, forcat ruse nisën sulme me dronë në Zaporizhzhia, duke vrarë një person dhe duke plagosur 29 të tjerë, raportuan zyrtarët vendas.

Rusia nisi dronë sulmues drejt qytetit, duke goditur të paktën 10 objektiva dhe duke shkaktuar zjarre të shumta. Administrata ushtarake rajonale raportoi se një burrë 61-vjeçar ishte vrarë si pasojë e sulmit. Pamjet e pasojave të sulmeve tregojnë disa shtëpi, si dhe një ndërtesë të dëmtuara.