Festivali i 81-të i Filmit në Venecia përfundoi këtë fundjavë me shpërndarjen e çmimeve më prestigjioze. Regjisori amerikan Jim Jarmusch befasoi të gjithë duke fituar “Luanin e Artë” me filmin “Father Mother Sister Brother”, duke lënë pas favoritët e garës.
Çmimet e aktrimit “Volpi Cup” iu dhanë Toni Servillo për rolin e tij në filmin e Paolo Sorrentinos “La Grazia” dhe Xin Zhilei për “The Sun Rises on Us All”. Benny Safdie fitoi çmimin për Regjinë më të Mirë me filmin “The Smashing Machine”, ndërsa drama tuniziane “The Voice of Hind Rajab” e regjisores Kaouther Ben Hania u shpall fituese e Çmimit të Jurisë së Madhe.
Në seksionin Orizzonti, çmimi për Filmin më të Mirë shkoi tek “On the Road” i regjisorit meksikan David Pablos, ndërsa Anuparna Roy u shpërblye si Regjisore më e Mirë për “Songs of the Forgotten Trees”.
Festivali i këtij viti solli emra të mëdhenj si Park Chan-wook, Kathryn Bigelow, Guillermo del Toro, Yorgos Lanthimos e Noah Baumbach, duke e bërë Venecian edhe një herë kryeqytetin e kinemasë botërore.
