Gazetar: Suad Bajrami

Tani për tani nuk pritet të ketë interpelancë për ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili me ngulm refuzon të lejojë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Deputeti i Koalicionit VLEN thotë se nuk mund ta parashikojë të ardhmen, por është i sigurt se çështja do të zgjidhet.

“Si do të procesuohet më andej nuk mund të ju them apriori, por ju garantoj se provimi i jurisprudencës do të realizohet edhe në gjuhën shqipe”, tha Adnan Azizi, Deputet i VLEN.

Deputeti Fatmir Bytyqi nga LSDM deklaratat e Fillkovit i quan të prapambetura.

“Po të kishte pak moral politik, ai nuk duhet të pret interpelancë. Në Maqedoni sjellje të tillë, të një shekulli të njëanshme, ku Kushtetua, parimet kushtetuese shihen siç i do qejfi dikujt, mendoj se janë të një shekulli të kaluar”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Deputet i LSDM-së.

Megjithatë kolegu i tij dhe ish kryeministri Dimitar Kovaçevski, nuk e di nëse ligji për gjuhët e lejon dhënien e provimit në shqip.

“A lejon, atë duhet juristët ta thonë. Nuk keni qëndrim ju si parti, si parti do të pyesni në parti, por unë ju them se duhet të respektohet Kushtetuta dhe ligji”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, ish kryeministër dhe deputet.

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe Arben Taravarit theksojnë se provimi në shqip nuk është çështje dëshire.

“Nuk është kjo çështje e dëshirave të individëve, pa marrë parasysh çfarë pozicioni kanë politikanë të caktuar…Kjo është një e drejtë e vonuar, është turp për të gjithë”, u shpreh Ilire Dauti, Deputete e ASH e Selës.

“Nëse Fillkovi e ka atë luksin të veprojë jashtë ligjit, jashtë Kushtetutës dhe jashtë asaj që e thotë kryeministri, atëherë qenka më i fuqishëm se kryeministri, s’ka logjik. Kështu që nuk ka nevojë as për interpelancë”, tha Halil Snopçe, ASH e Taravarit. /Alsat.mk

The post Jurisprudenca, nuk ka iniciativë për interpelancë ndaj Fillkovit appeared first on Alsat.