Uji në Strugë gati një muaj është i papijshëm, për shkak të ndotjes së burimit në fshatin Shum.
Kështu banorët ujin vazhdojnë ta blejnë.
Në tre ditët e fundit ka një përmirësim, tregojnë analizat e Institutit për Shëndet Publik, por ende nuk mund të konsumohet.
“Uji ditët e fundit është I pastër por megjithatë Institutit për shëndet publik na ka rekomanduar që duhet të presim disa ditë të stabilizohet uji i pastër shpresojmë që kjo të ndodhë, ne qoftë se nuk ndodh do të vazhdojmë me realizimin e masave tjera”, deklaroi Mendi Qyra – kryetar i Komunës së Strugës.
Ministri i Mjedisit Jetësor Muamet Hoxha u zotua se qeveria do ta ndihmojë Komunën e Strugës me 90 milionë denarë në projektin për përmirësimin e gjendjes, duke ndërruar gypat e vjetër me të rinj.
“Një nga projektet për të cilin biseduam me kryetarin e Komunës së Strugës është edhe projekti i cili është duke u realizuar rrjeti i ujësjellësit, ndërrimi i gypave të vjetër që kanë qenë shume të vjetra dhe kane pasur shpërndarje të ujit një projekt i cili kap vlerën 90 milionë denarë”, u shpreh Muhamet Hoxha – ministër i Mjedisit Jetësor.
Komuna e Strugës njoftoi se turbullimi i ujit në burime është pasojë e mangësive shumëvjeçare në menaxhim dhe ndërhyrjeve sipërfaqësore në sistemin e ndjeshëm karstik hidro-gjeologjik të burimeve “Shum” dhe Belica e Epërme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ujërave nëntokësore.
