Më shumë mbështetje për Kievin dhe rritje të presionit ndaj Rusisë kërkoi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, në deklaratat e saj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, duke hedhur poshtë çdo diskutim për lëshime territoriale nga ana e Ukrainës.

Ukraina është e vetmja që mund të vendosë kushtet e një marrëveshjeje paqeje, theksoi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.

“Ne të gjithë e dimë se Donbasi nuk është fundi i lojës për Putinin. Nëse e merr, do të kërkojë edhe më shumë. Lëshimet duhet të bëhen nga agresori dhe jo nga viktima”, u shpreh ajo, duke shtuar se lëshimet e përfshira në skenarët e planeve të paqes janë “jashtëzakonisht të vështira” dhe, sipas saj, “pasqyrojnë taktikën ruse”.

Duke iu referuar mundësisë së heqjes dorë nga perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, Kaja Kallas theksoi se një zhvillim i tillë duhet të shoqërohet me “garanci të forta sigurie”, duke sqaruar megjithatë se “janë ukrainasit ata që do të vendosin se çfarë lëshimesh janë të gatshëm të bëjnë për të arritur paqen”.

Sa i përket propozimit të SHBA-së që Ukraina të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2027, Përfaqësuesja e Lartë përsëriti se anëtarësimi i çdo vendi në BE bazohet në përmbushjen e kritereve konkrete.

Ajo shtoi se përmendja e një afati kohor specifik në planin e paqes tregon se “amerikanët po e shtyjnë përpara këtë proces”, gjë që – siç tha – mund të jetë një sinjal pozitiv për shtetet anëtare që kanë rezerva, duke aluduar për Hungarinë, me qëllim heqjen e vetos për hapjen e kapitujve negociues me Ukrainën.

Vëmendje të veçantë ajo i kushtoi planit për dhënien e një kredie kompensimi për Ukrainën, me garanci asetet ruse të sekuestruara, të cilin e cilësoi si një “ndryshues loje” për rrjedhën e luftës. Ajo shprehu shpresën se do të ketë rezultat në Samitin e së enjtes, duke pranuar megjithatë se “është shumë e vështirë” të arrihet një marrëveshje.

Duke iu përgjigjur kundërshtimeve të Belgjikës, Kallas theksoi se “shqetësimet e saj janë dëgjuar dhe janë kuptuar”, duke nënvizuar se ekziston një vullnet i përbashkët për të ndarë barrën mes shteteve anëtare.

E pyetur nëse ekziston një plan alternativ në rast dështimi, Kaja Kallas u përgjigj se të gjitha opsionet janë shqyrtuar prej kohësh dhe se kjo kredi kompensimi përbën “opsionin më të qëndrueshëm”.

Siç shpjegoi ajo, zgjidhja e huamarrjes së përbashkët përmes eurobonove kërkon unanimitet, i cili nuk mbështetet nga të gjitha shtetet anëtare.

“Parimi bazë është se ai që shkatërron duhet edhe të dëmshpërblejë. Kjo është zgjidhja më e mirë që kemi deri tani”, theksoi ajo.

Garancitë e sigurisë dhe NATO

Lidhur me gatishmërinë e Ukrainës për të hequr dorë nga objektivi i anëtarësimit në NATO në këmbim të garancive të forta të sigurisë, Kallas tha se “ministrat ishin të qartë se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë garanci të fuqishme sigurie, pasi Ukraina është vënë nën presion për të pranuar largimin nga NATO”.

“Sipas tyre, këto garanci janë i vetmi mjet që mund ta pengojë Rusinë të përsërisë agresionin”.

Ajo sqaroi se garancitë, përfshirë ato amerikane, duhet të jenë “jo vetëm në letër”, por edhe në terren, me numër konkret trupash dhe kapacitetesh ushtarake, pra, “duhet të shoqërohen me garanci jashtëzakonisht të forta sigurie”.

Kaja Kallas përsëriti edhe një herë se Rusia nuk dëshiron paqe dhe se i gjithë presioni për më shumë lëshime “në realitet, dëshmon taktikën negociuese të Rusisë”.