Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e pranimit të anëtarëve të rinj dhe të zgjerojë klubin e tij, i cili aktualisht ka 27 vende, tha të hënën diplomatja më e lartë e bllokut, Kaia Kallas, duke iu referuar Ukrainës, Malit të Zi dhe vendeve të tjera kandidate.
“Zgjerimi duhet të vazhdojë të bazohet në meritë, por në rrethanat aktuale ne duhet të përshpejtojmë ritmin”, tha Kallas në konferencën vjetore të diplomatëve të BE-së në Bruksel, duke shtuar se zgjerimi është “një antidot ndaj imperializmit rus dhe një shenjë se projekti më ambicioz shumëpalësh në histori, Bashkimi Evropian, po mbijeton”, shkruan Politico.
Ndarjet mbi shpejtësinë e procesit
Thirrja e Kaja Kallas për integrim më të shpejtë të vendeve kandidate vjen në një kohë diskutimesh të tensionuara midis Komisionit Evropian, i cili mbështet zgjerimin e shpejtë, dhe shteteve anëtare që mbështesin një qasje graduale.
Në një darkë javën e kaluar, ku mori pjesë shefi i stafit të Presidentit të Komisionit Evropian, Bjorn Seibert, ambasadorët e shteteve anëtare hodhën poshtë mundësinë e pranimit të anëtarëve të rinj me privilegje të kufizuara.
Fjalët e Kallas mbështesin fuqimisht idenë se zgjerimi nuk është vetëm një proces burokratik në të cilin kandidatët plotësojnë kriteret, por edhe një zgjedhje gjeopolitike, siç e ka theksuar më parë Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.
Rreziqet gjeopolitike dhe rruga përpara
“Zgjerimi është përshkruar si politika e jashtme më e suksesshme e Unionit, duke zgjeruar një zonë stabiliteti, paqeje dhe prosperiteti”, tha Kallas, duke cituar të dhënat e Eurobarometrit që tregojnë mbështetje të gjerë publike për procesin.
Megjithatë, shtoi ajo, “varet nga BE-ja nëse do të vazhdojë të promovojë historinë e zgjerimit”.
Një diplomat i lartë i BE-së, i cili kërkoi të mos identifikohej, tha se shtetet anëtare do të bënin gjithçka që mundeshin për ta mbajtur procesin e zgjerimit në rrugën e duhur, pavarësisht mosmarrëveshjeve midis Këshillit dhe Komisionit.
Po bëhen përgatitje për t’i përqendruar tre presidencat e ardhshme të Këshillit të BE-së në mirëpritjen e anëtarëve të rinj, me qëllim përfundimin e negociatave me Ukrainën deri në fund të vitit 2027, megjithëse nënshkrimi i një traktati pranimi mund të zgjasë më shumë.
Megjithatë, perspektiva e një debati publik mbi anëtarësimin e Ukrainës shqetëson disa udhëheqës të BE-së. Ata kanë frikë se kjo mund t’u japë partive të ekstremit të djathtë “municion” përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Francë, Finlandë dhe gjetkë.
The post Kallas: Zgjerimi i BE-së është përgjigjja më e fortë ndaj imperializmit rus appeared first on Alsat.
