Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj një 47-vjeçari nga Shkupi dhe një personi juridik, nën dyshimet për përvetësim në detyrë dhe pastrim parash. Sipas policisë, nga viti 2021 deri në janar të vitit 2026, i dyshuari dyshohet se ka përpiluar raporte të rreme për kompensimet e arkëtuara gjatë regjistrimit të automjeteve, duke përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme 6,8 milionë denarë, apo mbi 110 mijë euro.

Dyshohet se paratë janë transferuar ndërmjet llogarive të ndryshme të personave juridikë dhe janë përzier me të ardhura nga aktivitete të tjera, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre dhe blerjen e pasurisë së paluajtshme e të luajtshme. Sipas njoftimit të policisë, dëmi i është shkaktuar Buxhetit të shtetit.