Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale ndaj tre personave për pengim të zyrtarëve policorë dhe trafikim të drogës në Shkup.

Ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2026, rreth orës 20:25, në rrugën „Cërnogorska”, pas informacioneve operative për shitblerje të marihuanës.

Gjatë kontrollit të një automjeti të tipit „BMW” me targa të Shkupit, shoferi nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalim dhe u përplas me një shtyllë, ndërsa nga dritarja hodhi një qese me marihuanë.

Sipas policisë, gjatë ndërhyrjes, bashkudhëtari ia mori një zyrtari policor pistoletën zyrtare, pas së cilës shoferi u largua nga vendi i ngjarjes.

Policia u vu në ndjekje të automjetit, i cili lëvizte me shpejtësi të madhe në drejtim të autostradës Shkup–Tetovë, duke mos iu bindur sinjaleve të zërit dhe dritës.

Gjatë ndjekjes, një zyrtar policor qëlloi tri herë në ajër si paralajmërim, ndërsa automjeti më pas u përplas në mbrojtësen anësore të autostradës dhe u rrotullua.

Pas aksidentit, nga automjeti dolën shoferi P.A. (24) dhe bashkudhëtari E.P. (21), të cilët u privuan nga liria, ndërsa policia sekuestroi pistoletën dhe gjeti qesen me marihuanë.

Më 14 tetor 2026, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, Njësia për Kriminalitet të Dhunshëm pranë SPB Shkup ngriti kallëzim penal kundër P.A. dhe E.P. për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për prodhim e trafikim të paautorizuar të drogave narkotike.

Kallëzim penal për trafikim të paautorizuar të drogës është ngritur edhe kundër M.T., për të cilin, sipas policisë, ekzistojnë informacione se është i lidhur me rastin.

Ndërkohë, për ngjarjen është njoftuar edhe Departamenti për Kontroll të Brendshëm pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ka ndërmarrë masa për të verifikuar parregullsitë e mundshme gjatë veprimit të zyrtarëve policorë.