Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se kanë parashtruar kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari dhe katër personave të tjerë, përcjell TV21. Sipas njoftimit, Dehari dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave ndërsa 4 personat e tjerë për pastrim parash dhe përfitime të tjera nga vepra penale.

“I raportuari i parë, F.D., në cilësinë e kryetarit të Kërçovës, në periudhën nga 2021 deri në 2025, me vetëdije dhe qëllim, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhënie Pune dhe duke mos vepruar sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale, ka nënshkruar kontrata pune me personat e tjerë të raportuar. Më pas, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e detyrueshme, me vetëdije u ka lejuar atyre të mos shkojnë në punë dhe t’u paguhen paga, kompensime të tjera dhe kontribute nga kasaforta e komunës, dhe pas përfundimit të afatit ligjor nuk ka ndërprerë marrëdhënien e tyre të punës. Në këtë mënyrë, F.D. gjatë periudhës së përmendur ka dëmtuar buxhetin e komunës së Kërçovës në shumën prej 130,000 eurosh dhe u ka lejuar personave të tjerë të paditur të përfitojnë përfitime materiale, ku secili veç e veç ka marrë një shumë të ndryshme parash, edhe pse e dinin se ato ishin fituar përmes kryerjes së një vepre penale”, thonë nga MPB.