Procesi për disko klubin “Puls” nga Koçani, ku ka një numër të madh të të akuzuarve, është i vështirë të udhëhiqet dhe gjykata ka para vetes mijëra faqe prova që duhet t’i përmbledhë dhe të nxjerrë konkluzione se çfarë është e vërteta për të sjellë një vendim të drejtë. Këtë për TV21 e deklaroi profesori Vlado Kambovski duke u ndalur te procesi gjyqësor për tragjedinë në Koçan lidhur me atë se a mendon që të gjithë të akuzuarit janë përgjegjës për veprat e rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe si mund të jenë të gjithë bashkëpjesëmarrës në bashkëveprim.
“Gjatë vetë procesit unë besoj se do të vijë te diferencimi i atyre që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në vetë ngjarjen, kanë kontribuar në vetë ngjarjen, nga ata që kanë mundësuar kushte qoftë qëllimisht apo në mënyrë të pakujdesshme. Problemi në këto lloj rastesh komplekse është përcaktimi i kauzalitetit, lidhjes shkak-pasojë”, tha profesori Vlado Kambovski.
Sa i përket mbajtjes së Komisionit të Përhershëm Hetimor të sotëm dhe Komisionit Hetimor të paralajmëruar për Koçanin me propozim të VMRO–DPMNE-së, Kambovski thotë se ai do të ketë një kontribut të rëndësishëm vetëm nëse fokusohet te këto ngjarje si simptomë e sundimit të së drejtës dhe përgjegjësisë, në vend se si mundësi për poena politikë.
“Nëse në këtë pjesë Komisioni Hetimor i shpjegon qetësisht problemet që ekzistojnë në shoqëri dhe krijojnë kushte për mos e dhëntë Zoti përsëritjen e ngjarjeve të tilla, ai mund të japë një kontribut të rëndësishëm. Nëse arrin ta ngrejë vetëdijen në shoqëri se duhet të ekzistojë sundim i së drejtës, funksionalitet dhe përgjegjshmëri e të gjitha institucioneve që duhet të funksionojnë në interes të qytetarëve, pa ndikime partiake, pa partizim, politizim dhe kështu me radhë”, shtoi profesori Vlado Kambovski.
Procesi për tragjedinë në disko klubin “Puls” ka filluar në fillim të këtij muaji, ndërsa paralelisht me të po zhvillohen edhe debate në Kuvend me seancën e sotme të Komisionit të Përhershëm Hetimor dhe Komisionit Hetimor të paralajmëruar me kërkesë të deputetëve nga pushteti.
