Shkëndija do të jetë mysafire e Manastirit të hënën, kundër Pelisterit, në raundin e 9-të. “Kuqezinjtë” e Tetovës hyjnë në këtë ndeshje pas sfidës së humbur në Madrid, kundër Rayo Valejkanos, në kuadër të raundit të parë të Ligës së Konferencës. Skuadra nga Tetova ka lënë pas këtë përballje dhe tani fokusi është vetëm se si të fitojnë tre pikë nga ndeshja në transfertë kundër Pelisterit.

“Po hyjmë në këtë ndeshje me Pelisterin pas një ndeshjeje shumë të vështirë kundër Rajo Valejkanos, por për ne ishte një përvojë e vlefshme dhe e bukur. Një ndeshje kundër një skuadre të fortë të La Ligas. Por i harrojmë të gjitha këto dhe shkojmë në Manastir për 3 pikë kundër Pelisterit. Shkëndija synon tre pikët në çdo ndeshje. Nuk do të jetë një sfidë e lehtë, por ne gjithmonë shkojmë për fitore për të arritur qëllimin e caktuar, mbrojtjen e titullit”, tha Kamer Qaka, lojtari i Shkëndijës.

Ai shton se Shkëndija dëshiron të shkojë në pushim e qetë, me tre pikë të fituara dhe një vend më të lartë në tabelë.

“Nëse fitojmë tre pikë, do të jetë shumë mirë për ne. Do të ngjitemi më lart në tabelë dhe kjo do t’i bëjë gjërat më të lehta për ne, sepse atëherë do të ketë një pushim, i cili do të jetë i mirëpritur pas shumë udhëtimeve dhe ndeshjeve. Në të ardhmen, besoj se gjërat do të shkojnë më mirë në Evropë në favorin tonë”, përfundoi Qaka.

The post Kamer Qaka: Shkëndija synon tre pikët në çdo ndeshje appeared first on Alsat.