Neoplazmat malinje mbeten një nga shkaqet kryesore të vdekjes në nivel global, ndërsa situata shqetësuese vërehet edhe në Maqedoni. Sot, në Ditën Botërore të Kancerit, të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se kanceri është shkaku i dytë më i shpeshtë i vdekjes në vend, menjëherë pas sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut.

Sipas statistikave për periudhën 2010–2024, shkalla e vdekshmërisë nga neoplazmat malinje është rritur nga 180 në 217 për 100 mijë banorë, me vdekshmëri dukshëm më të lartë te meshkujt dhe te personat mbi moshën 65 vjeç. Tek burrat, shkaku më i shpeshtë i vdekjes është kanceri i mushkërive, ndërsa tek gratë kryeson kanceri i gjirit, me rritje të vazhdueshme të rasteve fatale.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se këto shifra tregojnë nevojën urgjente për parandalim dhe zbulim të hershëm, ndërsa Dita Botërore e Kancerit shërben si thirrje për veprim të përbashkët kundër kësaj sëmundjeje që prek gjithnjë e më shumë qytetarë.